Vitiasja 𝗞𝗮𝗱𝗶𝘀𝗵𝗲 𝗦𝗵𝗮𝗯𝗮𝗻𝗶 që po bën nam në garat e automobilizmit
Viteve të fundit, emri i vitiases Kadishe Shabani, është bërë i njohur jo vetëm në rajonin e Ferizajt ku jeton e vepron, por edhe më gjerë.
Përpos profesionit të Instruktores për aftësim të kandidatëve për vozitje, Kadishja është edhe ndihmës administratore në Gjykatën e Kaçanikut. Mirëpo, kjo nuk është e tëra sepse emri i saj u bë edhe më i njohur që kur ka filluar të merret me automobilizëm. Kadishe Shabani, që në vitin 2020 është shpallur kampione në kategorinë e dytë ku merr vendin e parë. Edhe këtë vit, ka garuar në të dyja kategoritë 1 dhe 2 dhe që shpallet kampione e dyfishtë. Ani pse e angazhuar në shumë drejtime, e po ashtu edhe me përgatitjen për gara në automobilizëm, sikur edhe me përgatitjen e kandidatëve për aftësim në vozitje në auto shkollën “Universal” në Ferizaj, Kadishja për asnjë moment nuk harron të kaluarën, vendlindjen e saj fshatin Skifteraj, fëmijërinë dhe mësuesit. Ditë më parë, ajo ka shprehur falënderim për ish-instruktorin e saj, Gafurr Abazin, i cili në vitin 2002 e kishte aftësuar për marrjen e patentë shoferes.
“Nuk harroj asnjëherë vendlindjen time fshatin Skifteraj, shkollën ku i kam marr hapat e parë të dijes nga mësuesit e arsimtarët. Nuk e kam harruar as instruktorin tim Gafurr Abazin, që me përkushtim që para 20 viteve, më ka këshilluar e aftësuar që sot të jem edhe instruktore, por edhe garuese në automobilizëm. Falënderim i përzemërt për të dhe gjithë ata që më kanë mbështetur deri më sot”, është shprehur znj. Shabani.
Ajo premton se do të jetë pjesë e garave në automobilizëm edhe në të ardhmen, duke synuar që të mbërrij në kategoritë superiore, e të përfaqësoj edhe shtetin e Kosovës në arenat ndërkombëtare.