Shtëpia e kujt ka qenë muzeu i sotëm i Gjilanit?

 Shtëpia e kujt ka qenë muzeu i sotëm i Gjilanit?

Në qendër të qytetit të Gjilanit gjendet objekti i Kajmekamllëkut, i ndërtuar në gjysmën e shek. XIX.

Ky objekt fillimisht ka pasur funksion banimi, ndërsa më vonë, me ndërrimin e pushteteve, është shfrytëzuar si ndërtesë administrative për nevojat e zyrtarëve komunalë.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kjo ndërtesë mbajti erë gjaku të shqiptarëve të therur nga forcat serbe, të ashtuquajtura partizane.

Kah fundi i shek. XX aty kanë qenë të vendosura zyrat e Mbrojtjes Popullore të ish-Jugosllavisë.

Pas luftës së fundit, një kohë, në këtë objekt ka vepruar logjistika e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Trupave Mbrojtëse të Kosovës të Zonës Operative të Karadakut dhe më pas ishte zyra e kryetarit të Komunës.

Në vitin 2015, kryetari i tanishëm i Gjilanit, Lutfi Haziri, këtë objekt ia dedikoi muzeut të Gjilanit.

Ndërtimi i takon tipit shtëpi me elemente të stilit neoklasik. Materiali i përdorur për ndërtim, kryesisht është guri, tulla, llaçi prej gëlqereje dhe druri.

Objekti ka dy kate dhe bodrumin. Në kat ndodhet dhoma e pritjes së kajmekamit, e cila del nga muri perimetral – një imitim i çardakut, i cili përposh qëndron mbi katër shtylla të muruara me tulla, të cilat kanë kapitele të stilit dorik.

Ndërsa, vetë shtyllat lidhen mes vete me arkada gjithashtu të muruara me tulla të kuqe.

Dera hyrëse është me gjysmëhark, nga e cila kalohet në një korridor të gjerë, anash të cilit janë tetë kthina.

Të ngjajshme