Shfaqja “Tartufi” fituese e pesë çmimeve në Festivalin e Teatrove në Ferizaj

 Shfaqja “Tartufi” fituese e pesë çmimeve në Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Shfaqja “Tartufi” e Teatrit të Gjilanit shpërblehet me pesë çmime në Festivalin e Teatrove në Ferizaj.

“Tartufi” ka rrëmbyer çmimin kryesor si “Shfaqja më e mirë”.

Po ashtu kjo shfaqje është shpërblyer edhe me çmimin “Regjia më e mirë” – Qëndrim Rijani

Aktorja gjilanase, Aurita Agushi është vlerësuar me çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësor”, derisa edhe aktori gjilanas, Alban Shahiqi, ka marr çmimin “Aktori më i mirë në rol episodik”.

 E për kostumografinë më të mirë është shpërblyer edhe Yllka Brada  – “Kostumet më të mira”.

“Faleminderit jurisë për vlerësimin, Qëndrimit për punën, faleminderit gjithë ekipit të shfaqjes dhe faleminderit Festivalit të Teatrove në Ferizaj”, thuhet në urimin e Drejtuesve të teatrit të Qytetit të Gjilanit.  

Për shfaqjen:

“Tartufi”,

Autor: Jean Baptiste Poquelin – Molière

Regjisor: Qëndrim Rijani

Aktorë: Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Aurita Agushi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani, Flaka Latifi, Avni Shkodra, Mejreme Berisha, Alban Shahiqi, Florent Salihu

Skenograf: Bekim Korça, kostumografe: Yllka Brada, kompozitor: Trimor Dhomi, ass regjie: Fitore Jashari

Drejtor artistik i projektit: Erson Zymberi

Prodhim i Teatrit të Gjilanit

***

“Tartufi” shkruar nga dramaturgu i njohur francez, Molière, u shfaq për herë të parë në vitin 1664. Kjo vepër është një kritikë e fuqishme ndaj hipokrizisë dhe mashtrimit, veçanërisht në kontekstin e moralitetit të rremë dhe pretendimeve fetare.

Historia përqendrohet rreth Tartufit, një mashtrues i rafinuar dhe hipokrit që gjen strehë në shtëpinë e Orgunit, një njeri i pasur dhe naiv. Orgoni është aq i bindur për devotshmërinë dhe moralin e lartë të Tartufit sa që vendos t’i japë atij dorën e vajzës së tij, Marianën, dhe gjithashtu të transferojë pasurinë e tij nën emrin e Tartufit. Megjithatë, pjesa tjetër e familjes e sheh Tartufin për atë që është dhe përpiqet ta bindë Orgonin për mashtrimet e tij.

Ndërkohë që tensioni rritet dhe maska e Tartufit fillon të bjerë, publiku shijon një shfaqje plot ngjarje të papritura që zbulojnë natyrën njerëzore dhe absurditetin e besimit të verbër. Molière përdor humorin dhe ironinë për të kritikuar ashpër hipokrizinë shoqërore, duke krijuar një vepër që ka mbetur aktuale dhe e rëndësishme edhe pas shekujve.

Në një mjedis të gjallë dhe dinamik, regjisori Rijani sjell një interpretim të freskët dhe bashkëkohor të kësaj vepre klasike, duke theksuar aktualitetin e temave të saj dhe reflektimin e tyre në shoqërinë moderne.

“Tartufi” mbetet një nga veprat më të famshme dhe më të interpretuara të Molière-it, duke ofruar një pasqyrë të mprehtë të marrëdhënieve njerëzore dhe të vërtetave të fshehura pas fasadave shoqërore.

Të ngjajshme