Në shtëpitë e shqiptarëve gjithmonë ka ekzistuar një dhomë për miq

 Në shtëpitë e shqiptarëve gjithmonë ka ekzistuar një dhomë për miq

Traditat e mikpritjes te shqiptarët, është e hershme. Në shtëpitë e tyre, sado të vogla të kenë qenë ato, gjithmonë ka ekzistuar një dhomë për miq.

Në Anamoravë, në fshatrat fushore, para Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, deri kah vitet ’70-ta , kryesisht janë ndërtuar shtëpi përdhese, me dy kthina. Ato ishin funksionale për kohën dhe ndërtoheshin më lehtë. Zakonisht bëheshin nga druri dhe balta.

Aty nga vitet ’70-ta, shtëpitë filluan të bëhen me tulla, ndërsa çatitë mbuloheshin me tjegulla. Shtëpi të këtilla, me një ndryshim të vogël, ndërtoheshin edhe në Karadak.

Përpos pjesës së banimit, në Karadak shtohej edhe pjesa ku mbahej bagëtia. Familjet që ishin pak më të pasura, ndërtonin shtëpi me një kat e gjysmë dhe në dy kate. Kati përdhese përdorej si shtëpi zjarri, e hera – herës, gjysma e tij përdorej për strehimin e bagëtisë së trashë.

Ky kat, zakonisht ndërtohej me gurë, ndërsa për material lidhës përdorej llaçi prej balte. Për dallim, në shtëpitë-kulla, materiali lidhës përbëhej nga llaçi gëlqeror, jo i nivelit të lartë.

Në ballina përdoreshin gurë gjysmë të përpunuar, për t`i nxjerrë faqen e shtëpisë, ndërsa në qoshe, zakonisht përdoreshin gurë të latuar nga mjeshtër popullorë, edhe për lidhje më të mirë, edhe për estetikë. Kati sipër përdheses, gjithashtu murohej me gurë.

Vonë, aty kah vitet 60-70 të shekullit XX, për katin e dytë filluan të përdoren qerpiçët. Në katin mbi përdhese, zakonisht kishte dy e ndonjëherë tri kthina. Njëra prej tyre shërbente vetëm për miq.

Në të, veç oxhakut në mes, që nga dera fillonte trapazani, që shërbente për vënien e drurëve të prerë, ndërsa mbi trapazan qëndronte shtroja e mbuloja për miq.

Shtëpitë e banimit në fshatrat fushore, u takonin objekteve të tipit ballkanik me elemente vendore. Në ballinë kishin ballkone të mbyllur, mbështetur vetëm në strukturën ballore të murit, e ndonjëherë për mbajtës kishin shtyllat prej druri që përfundonin me kapitel, hera-herës të stilizuar me ndonjë gravurë.

Zakonisht, në fshatrat fushore, shtëpitë ose kane qenë përdhese, ose dykatëshe. Varësisht prej pozicionit ndodhte edhe që ndonjëra prej tyre të kishte edhe gjysmë katin.

Kohët e fundit, shtëpitë më të reja, në fshatra fushore, në ato malore dhe në qytet gjithsesi, ofrojnë zgjidhje kompozicionale evropiane, shpeshherë me elemente nga tradita, sidomos duke ruajtur oxhakun në ballë të sallonit, që shërben për ndejë dhe mikpritje.

Ndërtimin e shtëpive në Gjilan dhe fshatrat e tij fushorë e malorë e bënin zakonisht mjeshtrit vendorë. Rrallë ndodhte që mjeshtrit të ishin nga ndonjë krahinë tjetër. Materialet për ndërtim, kryesisht janë guri dhe druri me material lidhës llaçin prej balte, ndërsa rrallë me material lidhës më të fortë, siç është llaçi prej gëlqeres.

Të ngjajshme