Kur duhet të FLAS fëmija im ?

 Kur duhet të FLAS fëmija im ?

Shkruan : Logoped – Endrit Osmani

“Fjala është mënyra më e fuqishme për një fëmijë që të bashkëveprojë me mjedisin përreth “, – thotë Heather Boerner, pediatre në Nju Jork. Zhvillimi i të folurës është shumë i rëndësishëm për mirëqenien e përgjithshme të fëmijës. Nëse fëmija nuk mund të komunikojë verbalisht, është shumë e lehtë që të acarohet e të mërzitet.

Para se fëmija juaj të mund të bisedojë, ai duhet të zhvillojë aftësinë e të kuptuarit dhe për këtë duhet të jetë ekspozuar ndaj bisedave që të njohë fjalët, tingujt e kuptimet e tyre.

Sipas një studimi të kryer në Universitetin Stanford në vitin 2013, fëmijët e vegjël të cilët janë të ekspozuar ndaj më shumë fjalëve në një moshë të hershme, kanë një fjalor më të pasur dhe aftësi më të mira gjuhësore më vonë.Prandaj prindërit nuk duhet të ndihen në siklet kur flasin me fëmijët dhe duket sikur bëjnë monolog, sepse kjo gjë ndihmon shumë të vegjlit e tyre.

Kur fillon një fëmijë të flasë fjalët e para?

Foshnja do të flasë fjalët e para kur të jetë rreth dymbëdhjetë muajsh, megjithëse belbëzimet si mama, baba, mund të nisin edhe që 9 muajsh. Fillimisht fjalët e fëmijës do të jenë të paqarta e të pakuptueshme, dhe do të fillojnë të përmirësohen nga muaji i 18. Kështu që prindërit duhet të përgatiten për vështirësi në komunikim, sepse jo gjithmonë do të arrijnë t’i kuptojnë fëmijët. Në fakt, fëmijët nuk pritet të jenë 100% të kuptueshëm deri në moshën katërvjeçare.

Megjithatë trajektorja e zhvillimit të çdo fëmije është e ndryshme dhe vajzat në përgjithësi flasin më herët se djemtë.

Rastet kur duhet të shqetësoheni për të folurën e fëmijës dhe duhet të konsultoheni me mjekun, janë:

– kur fëmija nuk thotë asnjë fjalë të vetme deri në 16 muajsh;

– kur ka nisur të flasë, por bën regres.

Të ngjajshme