Diplomati i parë kosovar Sait Kryeziu
Shkruan: Bajram Mjeku
Janë katër personalitete të shquara, të cilët vunë themelet e diplomacisë shqiptare. Vëllezërit Mehmet e Faik Konica, Fan Noli dhe kosovari Said Kryeziu nga Gjakova. Pikërisht për këtë, historianët shqiptarë të prirë jo rrallë nga smira e injoranca e flakën padrejtësisht Said Kryeziun si një rekuizitë të parëndësishme.
Said Kryeziu, vëllai më i vogël i Hysen, Hasan e Gani Kryeziut, u lind më 10 prill të vitit 1911 në Gjakovë. Kreu Gjimnazin në Prizren, ndërsa doktori në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sorbonës në Francë në fillim të viteve gjashtëdhjetë.
Saidi ishte poliglot. Fliste dhe shkruante bukur në gjuhën angleze, gjermane, frënge, italiane, spanjolle, turke dhe gjuhët sllave.
Është Said Kryeziu, i cili së bashku me dijetarin Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Zef Pali e Nuçi Kotta, më 26 gusht të vitit 1949 në Paris themeluan Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë”. Saidi u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Komitetit, më saktë kishte pozitën e Kryeministrit shqiptar në mërgim. Qëllimi i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, ishte rrëzimi i regjimit komunist në Shqipëri, themelimi i një qeverie demokratike dhe bashkimi i trojeve shqiptare.
Historianët kosovarë çuditërisht e fshehin edhe një tjetër fakt. Veprimtari i shquar kosovar, Enver Hadri i cili u vra në shkurt të vitit 1990 nga Shërbimi Sekret jugosllav në Bruksel, ishte djali i mbesës së tyre, Ifakete Kryeziu.
Diplomati i parë kosovar, Said Kryeziu vdiq më 16 maj të vitit 1993 në Nju-Jork. Shtypi i kohës heshti shuarjen e tij, njësoj si veprimtarinë e tij të bujshme në dobi të çështjes shqiptare.
13 Gusht 2016