Dikur ikonë dhe kontribuues i futbollit në Gjilan, sot jeton me 𝟭𝟬𝟬 𝗲𝘂𝗿𝗼 pension mujor
Fahredin Sherifi është një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave në Gjilan. I njohur ndryshe si “Farka”, ai është rrëfyer në një bisedë për FrontOnline ku ka zbuluar shumë detaje nga fillimi në karrierën e tij si futbollist, trajner si dhe për migrimin në Turqi, ku edhe loboi për sportin gjilanas. Përpos kësaj, kontributi i tij ishte edhe ai madh në arsim, por ai jeton me vetëm 100 euro pension, pasi shteti i Kosovës nuk ia njeh të drejtën e pensionit të plotë, ani pse ai insiston se i ka në rregull dokumentet.
Karrierën si futbollist e nisi në moshën 15-vjeçare te Partizani i Beogradit, por shkaku i lëndimit të rëndë në këmbë, u detyrua të kthehet në vendlindje. Pas një viti iu bashkua Gjilanit, klub që aso kohe quhej “Zvezda”, duke u bërë futbollisti më i ri në gjithë futbollin e Kosovës.
Kontributi i tij bëri që skuadra që ai aktivizohej – Gjilani – të shpallej kampion i Kosovës, derisa ai mori epitetin e futbollistit më të mirë në vend. Përpos futbollit, ai nuk e linte anash as shkollën, ku paralelisht me futbollin, kryente studimet në Fakultetin Filozofik, dega e matematikës.
“Kur kam luajtur futboll, ka qenë klasik, tash në futbollin modern po bazohen në përgatitjet fizike, teknike dhe taktike. Skuadra ime e preferuar gjithmonë do të jetë Gjilani”, e nis rrëfimin Sherifi për FrontOnline duke vazhduar:
“Anoj për futbollin gjilanas, bëj tifo për të dyja skuadrat. Por, pa rivalitet s’ka as cilësi”.
Në vitin 1967 ai nisi të punojë si profesor i matematikës në Shkollën Normale “Skënderbeu” në Gjilan, derisa pastaj vazhdoi në gjimnazin “Zenel Hajdini” deri në vitin 1979.
Përpos kësaj, me propozimin e Komunës së Gjilanit, ai u angazhua si drejtor i sallës sportive më 2 mars të vitit 1979 deri më 30 shtator 1992. Por, përkundër këtij kontributi madhështor, ai e ka një problem me shtetin e Kosovës.
Pavarësisht se është ikonë e futbollit në Kosovës, si dhe personalitet i nderuar në Gjilan, nuk e gëzon të drejtën e pensionit të plotë, derisa merr vetëm 100 euro, të cilat ai i llogaritë “lëmoshë”.
“Unë e dua vetëm atë që e kam merituar”, thotë veterani i arsimit gjilanas.
Në departamentin e administratës pensionale në Gjilan nuk i kanë pranuar dokumentet të cilat ai i posedon. Madje, ai shprehet se nuk arriti të marrë asnjë përgjigjje se pse iu refuzua kërkesa.
“Jam i bindur se të gjitha dokumentet ku dëshojnë se kam punuar me vite në arsim dhe si drejtor në sallën e sporteve ekzistojnë. Gjenden diku në arkiva, por askujt nuk i intereson dhe se nuk e bëjnë mundin t’i gjejnë ato”, thotë “Farka”.
Migrimin në Turqi e bëri në vitin 1992, teksa në Kosovë u kthye në vitin 2015. Ai u detyrua të largohet nga Kosova pasi u dëbua nga puna. Me kthimin në Kosovë, ka qëndruar si pensioner.
“Për shkak të gjuhës që e dija, nuk e kisha problem të loboj rreth futbollit kosovar. Atje punova edhe si trajner i grupmoshës U16 te Bursaspori”, tregon 80-vjeçari që vjen nga një familje që janë prej më të vjetrave në Komunën e Gjilanit.
“Farka” që ishte trajner i Gjilanit nga viti 1972 deri në 1975, ishte i ftuar nga legjenda e ndjerë, Fadil Vokrri në gurthemelin e stadiumit në Gjilan, teksa ai thotë se kohën e lirë e kalon duke shikuar futboll.
“Jam pensioner, nuk punoj. Kohën e lirë e kaloj duke shikuar futboll. Në krahasim me disa vite në Kosovë, viteve të fundit është përmirësuar cilësia e futbollit. Këtë e ka treguar edhe Ballkanin ndaj klubeve evropiane vitin e kaluar”, theksoi Sherifi.
Pavarësisht se vjen nga qyteti i Gjilanit dhe anon për klubet e qytetit të tij, ai e ka një skuadër tjetër në mendje për titullin e kampionit. “Sipas meje, Ballkani do të shpallet kampion pavarësisht dëshirës sime të jetë Drita apo Gjilani”, përfundoi.