Çarshia apo qendra e Gjilanit, mësoni gjithçka rreth saj
Gjilan – Me kërkesën e shumë lexuesve po japim në vazhdime pjesë interesante që lidhen me qytetin e Gjilanit dhe në përgjithësi Anamoravën. Çarshia e vjetër e njohur tani si qendra e Gjilanit ka të dhëna interesante rreth saj.
Në librin e Aliriza Selmanit jepen të dhëna të shumta rreth qendrës së Gjilanit. Çarshia apo qendra e Gjilanit, të cilën disa autorë e ndajnë në dy pjesë , në pjesën e epërme, ku që nga themelimi i qytetit, përveç dyqaneve dhe objekteve të tjera, ndodheshin edhe zyrat e administratës së Nahijes së Moravës dhe më pas edhe të Kazasë, dhe në pjesën e poshtme të çarshisë, të krijuar nga ndërtimet e mëvonshme,s shtrihej në anën e djathtë të lumit Mirusha.
Në fakt çarshia si tërësi zinte hapësirën qendrore të qytetit, ku, përveç kompleksit të dyqaneve të vogla e të dendura zejtare të ndërtuara më herët, që nga rruga e tanishme “Adem Jashari” dhe Xhamia e Madhe deri te lumi Mirusha, në të dy anët e rrugës qendrore, ndodheshin dyqanet dhe objekte të tjera. Rreth çarshisë dhe qendrës së qytetit të Gjilanit ka edhe të dhëna të tjera të shumta bazuar sipas autorit Aliriza Selmani në librin e tij:” Gjilani qendër e Anamoravës nga themelimi deri në gjysmën e parë të shekullit XX”./rajonipress/