𝗥𝗲𝗱𝗼𝗻 𝗜𝘀𝗺𝗮𝗶𝗹𝗶, 𝘆𝗹𝗹𝗶 𝗻ë 𝗿𝗿𝗶𝘁𝗷𝗲 𝘁𝗲 𝗦𝗖 𝗚𝗷𝗶𝗹𝗮𝗻𝗶

 𝗥𝗲𝗱𝗼𝗻 𝗜𝘀𝗺𝗮𝗶𝗹𝗶, 𝘆𝗹𝗹𝗶 𝗻ë 𝗿𝗿𝗶𝘁𝗷𝗲 𝘁𝗲 𝗦𝗖 𝗚𝗷𝗶𝗹𝗮𝗻𝗶

Krahas shumë problemeve këtë sezon te skuadra e SC Gjilanit, njëra nga gjërat e mira që i ka ndodhur kësaj skuadre është edhe ylli në rritje, Redon Ismaili.

Ismaili luan në pozitën e mesfushorit dhe në fëmijërinë e tij ishte pjesë e shkollës së futbollit KF Shkëndija, e cila gjendet në qytetin e Gjilanit. Pjesë e kësaj shkolle ishte deri në nivelin e kadetëve, për të vazhduar pastaj te akademia e SC Gjilanit.

20-vjeçari kontratën e parë profesionale me gjilanasit e kishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2020 atëbotë si 18-vjeçar, kontratë që e mbanë atë në klub deri në vitin 2023.

Pas nënshkrimit të kontratës me klubin e tij të fëmijërisë, Ismaili vazhdoi paraqitjet me ekipin U19 të SC Gjilanit, ku në sezonin 2020/21 shënoi 15 gola.

Debutimi i mesfushorit me ekipin e parë të “Skifterave” erdhi më 22 shkurt 2022 ndaj skuadrës së Feronikelit në kuadër të Superligës së Kosovës.

Në fillim të këtij sezoni aktual, Ismaili u huazua për 6 muaj te skuadra e Ligës së Parë, Vllaznia Pozheran, ku dhuroi paraqitje mjaft të mira.

Që nga fillimi i stinorit pranveror në Albi Mall Superligën e Kosovës, Ismaili është paraqitur në dy ndeshje, me një total prej 120 minuta.

Ismaili zhvilloi performancë të mirë edhe ndaj Drenicës në mesjavë, ndeshje në të cilën kompletoi 90 minuta dhe që përfundoi me fitoren e gjilanasve me rezultat 2-1.

Përveç futbollit me klube, mesfushori ishte paraqitur në disa ndeshje me Kosovën U19, ku kishte shënuar gol në debutimin e tij.

Ndër të tjerash, ai për Gazeta10 bëri me dije se dëshirë e tij është që të pranojë ftesë nga reprezentacioni i Kosovës U21 në grumbullimet e ardhshme.    

“Jam në pritje për ftesën te grupmoshat e Kosovës U21 dhe shpresoj që ftesa të vie në një të ardhme të afërt”, tha ai shkurtimisht për Gazeta10.

Të ngjajshme