𝐇𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐤𝐮 𝐩ë𝐫 𝐪𝐲𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐥𝐚𝐧𝐢𝐭

 𝐇𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐤𝐮 𝐩ë𝐫 𝐪𝐲𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐞 𝐆𝐣𝐢𝐥𝐚𝐧𝐢𝐭

Shkruan: Prof. Ass. Dr. Isuf Ahmeti

Gjilani shtrihet në pjesën juglindore të Kosovës, krahina e Anamoravës. Ka një pozitë të mirë gjeografike sepse shtrihet në pellgun e Moravës dhe është qendër e rajonit të Anamoravës. Gjilani gjendet në udhëkryq të rrugëve Ferizaj-Bujanoc dhe Preshevë-Artanë. Kufizohet në jug-lindje me Preshevën dhe Kumanovën, në lindje me Bujanocin, në veri-lindje me Dardanën (ish-Kamenicën), në jug me Vitinë, në veri-lindje me Artanën (ish-Novobërdën) dhe në perëndim me Lypjanin e Prishtinën. Viti i saktë i themelimit të (كيلان) Gjilanit sot e kësaj dite nuk është i përcaktuar plotësisht. Në shek. XVII, Evlia Çelebiu e përmend Gjilanin, por me emrin Moravë, si kadillëk në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë. Mes tjerash Evlia Çelebiu shkruan se ky qytet është “shtatëmbëdhjetë ditë udhë nga Kostandinopoja.

Nuk dihet mjaft se ç’prej kur ekziston Gjilani si vendbanim, por në dokumentet e ndryshme të mesjetës përmendet mjaft herët si fshat. Kështu përmendet edhe një numër i madh fshatrash të atij territori që ekzistojnë edhe sot. Informatat e para për Gjilanin si fshat ekzistojnë që në shek. XIV. Në popull është ruajtur gojëdhëna, sipas së cilës Gjilani si vendbanim është formuar në gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe në periudhën ndërmjet viteve 1750 e 1780, ndërsa si qendër urbane mund të merret viti 1772. Gjilani si qytet është zhvilluar krahas shuarjes së Novobërdës, që në mesjetë ka qenë njëri ndër qytetet dhe qendrat më të mëdha tregtare, ekonomike dhe xehetare të Ballkanit.

Dihet mirëfilli se Gjilanin si qytet e ka themeluar familja feudale shqiptare e Gjinajve, e cila që nga viti 1737 deri në fund të shek. XIX ka sunduar në Kosovë, në Drenicë, në Llap dhe në Moravë. Sulltani ka qenë i detyruar ta pranojë pushtetin e kësaj familje si pushtet të trashëguar.

Gjilani në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, një herë i takonte Sanxhakut të Vushtrrisë në Vilajetin e Kosovës e pastaj edhe Vilajetit të Prizrenit, sipas rregullimit të atëhershëm administrativ të shtetit osman, nuk ishte ndonjë vendbanim i madh për t’u bërë qendër administrative.

Të ngjajshme