Vërbica e Zhegocit mes toponimeve dhe thesarit arkeologjik

 Vërbica e Zhegocit mes toponimeve dhe thesarit arkeologjik

Shkruan: Sabedin Sherifi

Emra apo toponime të çuditshme që nga koha e fëmijërisë kemi mësuar nga të rriturit për trevën tonë. Male, kodra, lugje dhe fusha. Shumë burime uji, si kroje apo puse, janë emërtuar ndoshta qindra vite apo më herët.

Shumica janë emërtime që nuk i deshifronim dot pasi që të moshuarit i shpjegonin ashtu siç ata kishin dëgjuar nga paraardhësit e tyre. Kjo nuk na pëlqente dhe ne lëshoheshim në imagjinatën tonë hulumtuese.

Fatkeqësisht nuk gjenim ndonjë literaturë apo hulumtim rreth këtyre emërtimeve pasi që ato mungojë. Hulumtuesit për rajonin tonë mungojnë.

Kjo trevë fsheh shumë mistere pasi që është rajon i banuar që nga lashtësia. Kjo dëshmohet me gjetje të shumta arkeologjike.

Kudo që provon të groposh me kazmë, mund të hasësh në qeramikë, apo metale të shkrira apo gjysmë të shkrira. Themele të vjetra nga gurët që i kanë rezistuar kohës mijëra vite.

Në lagjen e Alibabëve, aty te vendi i quajtur Otavë ekziston ujësjellësi me gypa qeramike që askush nuk e di kohën e ndërtimit të tij.

Vërbica e Zhegocit shtrihet në trekëndëshin mes tri qyteteve antike, si Ulpiana, Artana dhe qyteti Zygo (Zhegoci sotëm).

Lidhja rrugore kalonte përmes Vërbicës, andaj edhe gjurmët e kohës janë gdhendur në gurë.

Miniera dhe furrat e shkrirjes së metaleve apo shkritoret, zakonisht kanë qenë të ndërtuara afër lumenjve ku mbetjet e hirta dhe gurëve të shkrirë gjenden edhe sot afër shkollës në Zhegoc dhe përgjatë tërë lumit Verbica, deri afër fshatit Sllovi.

Kjo tregon që një kohë industria e metaleve ishte shumë e zhvilluar. Sipas gojëdhënave, shtëpitë në Zhegoc e Vërbicë ishin aq të shumta sa që thuhej se macja ka ecur nëpër kulme pa zbritur deri në Sllovi.

T`u kthehemi përsëri toponimeve. Lugu i kishës, Lugu i Pal Dedës, Tabet në Bisag, Llopari, Gradina, Lugu i Mavriqit, Kodra e Brincës, Lugu i Kashtës, Gradina, Kodra e Pojatës, Megjaku, te Balta, Livadhi i Memës, Quka e plot të tjera fshehin mistere të shumta pasi që si toponime janë të lashta.

Bjeshka është e mbushur me kroje dhe secili mbanë emrin e ndërtuesit apo emrin e ndonjë peme që ka qenë afër tij: Kroni i Muratit, kroni i thanës, kroni i lejthisë, kroni i thive, kroni i ahut, kroni i Sejfisë, kroni i Ramushit, qeshma e ftohtë, kroni i bjeshkës, qeshma e katunit e shumë e shumë të tjera.

Si fëmijë e kujtoj kur në odën tonë erdhën disa studentë për të intervistuar xhaxhain tim, Smajl Sherifi, rreth disa toponimeve, ku një prej tyre ishte Ara e shemtë (shembur).

Ishte interesant për ne si fëmijë kur dëgjonim se si i shpjegonte xhaxhai im dhe po ashtu edhe pyetjet që bënin gazetarët studentë.

Ende e kujtoj se si regjistroheshin intervistat me një magnetofon.

Me kalimin e kohës shumë nga këto toponime do zhduken pasi që një fjalë e urtë thotë se: Gjuha ruhet aty ku shkruhet e me shkrime apo mbledhje të këtyre toponimeve sot askush nuk merret.

Një plagë edhe më e rëndë është migrimi i vazhdueshëm i banorëve nga kjo trevë drejt vendeve urbane.

Të moshuarit do t`i kujtojnë me nostalgji toponimet, por të rinjtë që kanë migruar nuk do merren me këto gjëra dhe gradualisht ato do harrohen.

Të vetmet toponime do ruhen vetëm ato në hartat topografike apo ushtarake, fatkeqësisht në hartat topografike këto toponime janë sllavizuar apo janë të shkruara jo drejt nga pushtuesit e kohës.

Gjatë punës profesionale më ka rastisur të hulumtoj në hartat topografike që ishin diku të viteve 60-ta dhe shumë vendbanime që dikur frymonin, sot nuk ekzistojnë.

P.sh. dy lagje Alibabëve dhe Musliu. Kjo e fundit sot nuk ka asnjë banor. Aty thjeshtë kanë mbetur vetëm rrënojat e mbuluara nga bimësia, kurse në hartat topografike lagjja Musliu dikur kishte më shumë shtëpi se sa lagjja Alibabë.

Hulumtuesit sigurisht duhet të mbështeten nga institucionet pasi që ato kërkojnë hulumtim të gjerë, arkeologjik, historik dhe në fusha të tjera.

Verbica dikur në antikitet kishe dhe kështjellën apo kalanë e saj, temë kjo me hulumtimin e së cilës janë marrë prof. Tefik Zymberi (tani dëshmor i kombit) si dhe prof. Mejdi Musliu.

Gjetjet e tyre i ka ruajtur dhe i ka dorëzuar pas luftës në Muzeun e qytetit në Gjilan, prof. Mejdi Musliu. Shpresojmë që studentët e rinj, sidomos ata nga fusha e arkeologjisë, historisë dhe toponomastikës do të merren me këtë thesar të pa hulumtuar sa duhet deri më sot.

Të ngjajshme