U zgjodh asistente në Universitet kandidatja me notën mesatare nën 8, paditësi kërkon anulimin e vendimit

 U zgjodh asistente në Universitet kandidatja me notën mesatare nën 8, paditësi kërkon anulimin e vendimit

Gjilan- Paditësi Arben Toska, kandidat në konkursin për pozitën e asistentit në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, përmes padisë  ka kërkuar mbrojtje nga gjykata lidhur me ligjshmërinë e vendimit, i cili është marrë nga Senati i të paditurës Universiteti “Kadri Zeka” më 30 tetor 2019.

Në padi kërkohet nga gjykata që të nxjerret aktgjykimi, me të cilin e anulon vendimin për zgjedhjen e Detrina Alishanit, në këtë pozitë, e cila në master e kishte notën mesatare nën 8, dhe se gjykata vet e zgjidhë këtë çështje administrative, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shqyrtimin kryesor të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, paditësi Arben Toska i ka propozuar gjykatës që si prova të administrohen diplomat e nivelit bachelor dhe master, po ashtu edhe çertifikatat e notave të nivelit bachelor dhe master.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, Vaxhid Idrizi, ka shtuar se kundërkandidatja Detrina Alishani, ka qenë e punësuar më parë dhe  ka pasur rizgjedhje dhe se në rizgjedhje si kusht kryesor është aë kandidatja duhet të ketë të regjistruar doktoratën.

Tutje, gjyqtari Berat Spahiu ka aprovuar propozimin nga paditësi që të administrohen edhe provat e siguruara.

Pas administrimit të provave materiale shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me fjalën përfundimtare të palëve, ku paditësi Toska, ka kërkuar që fjalën përfundimtare ta paraqes me shkrim.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e paditësit që në afat prej 5 ditësh duhet të paraqesë fjalën përfundimtare, duke e njoftuar që mosparaqitja e fjalës përfundimtare në afatin e caktuar do të konsiderohet si heqje dorë nga dhënia e fjalës përfundimtare.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, Vaxhid Idrizi, ka thënë që padia e paditësit është e bazuar në notën mesatare të kandidates, e cila në nivelin bachelor nuk e ka pasur notën mbi 8, në kohën kur është punësuar kundërkandidatja, ka qenë në fuqi ligji i përkohshëm ku kërkohet që kandidati të ketë notën mesatare mbi 8, nuk kërkon që të jetë në dy nivelet mbi 8.

Ai ka shtuar se Senati ka miratuar edhe një rregullore, ku për pozitën e asistentit lejon që të mblidhen nota mesatare bachelor dhe master dhe të pjesëtohen me dy.

Përfaqësuesi i të paditurës, i ka propozuar gjykatës që padia e paditësit të refuzohet, sepse si e tillë  është e pabazuar.

Ndryshe, në padi paditësi ka kërkuar mbrojtje nga gjykata lidhur me ligjshmërinë e vendimit 01-1987 i marrë nga Senati i të paditurës Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, më 30 tetor 2019, respektivisht të drejtës së tij ligjore për t’u zgjedhur si asistent.

Në padi thuhet se në këtë situatë, ku kemi të bëjmë me vlerësimin e aktit administrativ, e paditura përmes Senatit të saj tanimë e ka marrë vendimit 01-1987 më 30 shtator 2019, të cilin e ka publikuar më 11 tetor 2019, ku në pozitën e asistentes është zgjedhur Detrina Alishani, atëherë në rend të parë paditësi kërkoi nga gjykata që të nxjerr aktgjykim, me të cilin e anulon këtë vendim dhe vet e zgjidhë këtë çështje administrative.

Sipas padisë në bazë të prova të administruar gjatë gjykimit, gjykata vet do të bindet se gjendja faktike ndryshon nga ajo që është vërtetuar në procedurën administrative, karakteri i çështjes e lejon dhe se të dhënat dhe faktet e administruara gjatë kësaj procedure japin bazë të sigurt për këtë gjë, andaj gjykata mund të marrë aktgjykim me të cilin vet e vendos rastin. Këtë gjë e mundëson neni 46, para. 4 lidhur me nenin 43 para. 3 lidhur me para. 2 LKA. 98. Gjithashtu në padi është kërkuar nga gjykata që ta detyrojë të paditurën që t’ia paguajë shpërblimin e dëmit, konkretisht fitimit të munguar, lidhur me pagat mujore në shumë prej 743 euro, sa është paga mujore e një asistenti. Ky autorizim i gjykatës del nga neni 46 para. 5 i LKA. 99. Përveç kësaj, paditësi ka kërkuar nga gjykata që ta detyrojë të paditurën që t’ia paguajë shpenzimet. /BetimipërDrejtësi

Të ngjajshme