Si në filma: 32-vjeçar nga Gjilani i thirri policinë se i vodhën para në shtëpi- në fund doli të jetë gjithçka e inskenuar

 Si në filma: 32-vjeçar nga Gjilani i thirri policinë se i vodhën para në shtëpi- në fund doli të jetë gjithçka e inskenuar

Policia e Kosovës në Gjilan ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “lajmërim apo kallëzim i rremë”.

S.B. 32-vjeçar akuzohet se të martën në mëngjes kishte raportuar se persona të panjohur janë futur në shtëpi përmes dritares së podrumit dhe se i është vjedhur një shumë e konsiderueshme e parave.

Pas hetimeve është konstatuar se i dyshuari kishte gënjyer për rastin e vjedhjes. Në fakt ai pas intervistimit nga Policia në cilësinë e të dyshuarit ka pranuar se e ka shpikur rastin dhe se paratë i kishte shpenzuar në mënyrë të ndryshme.

“Njësitet e Hetimeve Rajonale-Gjilan, pas pranimit të rastit kanë filluar me veprimet hetimore intensive; intervistimit të familjarëve të ankuesit dhe janë shikuar kamerat e sigurisë që ishin të vendosura në shtëpi. Nga këto veprime hetimore, hetuesit policorë, kanë krijuar dyshime të reja. Prandaj, ‘ankuesi’ është ri-intervistuar nga ana e hetuesve policorë, por tanimë në cilësi të të dyshuarit. Gjatë ri-intervistimit i dyshuari S.B., në prezencë të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, pas ballafaqimit me provat e gjetura nga hetuesit policorë, i njëjti deklaron se rastin ‘vjedhje e rëndë’ e kishte inskenuar pasi që shumën e të hollave në vlerë të konsiderueshme të deklaruar si të vjedhur, në fakt e kishte shpenzuar në mënyra të ndryshme. Bazuar në deklaratën e dytë të të dyshuarit dhe provave të qëndrueshme të gjetura nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj S.B. është iniciuar rasti ‘lajmërimi apo kallëzimi i rremë’. Me aktvendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Të ngjajshme