Shtrenjtohen biletat e autobusëve në Kosovë
Çmimi i derivateve të naftës është ngritur dukshëm në Kosovë. E bashkë me këtë ngritje, qytetarët tani po paguajnë më shtrenjtë edhe biletën e autobusit.
Disa kompani të autobusëve tashmë kanë nisur t’i ngrisin çmimet e biletave. Nga kjo ngritje e çmimit më së shumti po pësojnë studentët. Studentja Manjolla Gjini për të ardhur deri në Prishtinë sot, ka ndërruar disa linja të autobusit. E ndryshimin në çmim e ka vërejtur në autobusin e linjës Ferizaj-Prishtinë.
Nga një euro sa ka qenë çmimi për studentë, tani sipas saj, është bërë 1.50 euro.
“Po studente jam dhe vi nga Kaçaniku. Kemi pasur ngritje të çmimit Ferizaj-Prishtinë tash është bërë 1.50 më herët ka qenë 1 euro. Ky çmim i ka dëmtuar studentët, nga Kaçaniku në Ferizaj nuk ka pas ngritje, mendoj se ky çmim duhet me qenë siç ka qenë më herët”, tha ajo.
E qytetarja Dalina Vranovci, tha se çmimi i biletave është ngritur si pasojë e çmimit të naftës.
“Po ka pasur ngritje të çmimit për 50 centë, sidomos për pjesën e studentëve. Mendoj se është i lartë sepse studentët ka që udhëtojnë çdo ditë edhe 1.50 euro është çmim i lartë, duke e pasur parasysh se nuk punojnë dhe nuk kanë të ardhura. Çmimi është i lartë, por këtu mendoj se nuk është faji i kompanive të autobusëve, por është faji i politikave dhe çmimi i naftës”, tha ajo.