Rugova 2001 Gjilan: Unë kam propozim që këtu të prodhohet cigarja me emrin “Pavarësia”
GJILAN, 11 nëntor 2001 (QIK) – Mbi 30 mijë qytetarë dhe simpatizues ishin mbledhur në Stadiumin e qytetit të Gjilanit, në tubimin e sotëm të fushatës përmbyllëse të LDK-së. Me mijëra të tjerë mbetën jashtë rrethojave, sepse në gjithë atë stadium me tribuna dhe me fushën e madhe, impozante nuk kishte mbetur vend për gjithë ata të interesuar. Trotuarët dhe rrethojat përreth ishin mbushur poashtu, krahas atyre simpatizuesve që qëndronin nëpër ballkone të ndërtesave. I vogël dukej Stadiumi i madh i Gjilanit për gjithë të interesuarit.
Në këtë atmosferë impozante e festive tubimin e fushatës parazgjedhore e hapi Sadudin Berisha, kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan. Ai pasi përshëndeti të pranishmit, delegacionin nga Prishtina, organizmat e ndryshme ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e partive politike, foli për vizionin e LDK-së dhe për kryetarin e saj Dr. Ibrahim Rugova.
“Ju e dini se për kë duhet votuar, ashtu siç bëtë edhe vitin e kaluar”, tha ndër të tjerët zoti Berisha. Pastaj foli kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, i cili nderoi familjet e ushtarëve të vrarë, invalidët e luftës, veteranët dhe qyetatarët e Gjilanit. “Ju po dëshmoni sot, edhe më fuqishëm se, ne kemi realizuar pikën tonë njëvjeçare të detyrave tona, atë që na ka obliguar vota juaj. Nga prania juaj shihet se ju jeni të kënaqur me këtë”, tha Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit. Pastaj me ndërprerje nga brohoritjet e fuqishme u bë prezentimi i kadidatëve për deputetë në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës nga Gjilani, të cilët i paraqiti Nekibe Kelmendi, sekretare e përgjithshme e LDK-së. Ata u duatrokitën ngrohtësisht nga bashkëqytetarët e tyre.
Tubimi fascinant në Gjilan, më më i madhi që është mbajtur deri me sot në Kosovë, transmetohej drejtpërdrejtë edhe nga një radiostacion lokal. Dhe megjithatë kishin ardhur aq shumë njerëz që ta përcillnin këtë tubim në Stadiumin e madh të qytetit. Ndërkaq, ushtarët amerikanë kishin bërë një sigurim të jashtëzakonshëm; ku çdo gjë funksiononte për mrekulli dhe asgjë nuk i lihej rastit. Gjilanasit dhe organizatorët e këtij manifestimi madhështor ishin të mrekullueshëm.
Pas prezentimit të kandidatëve për deputetë, fjalën e mori Dr.Ibrahim Rugova.
Paraqitja e tij ndërpritej me skandimet e fuqishme që e dridhnin qytetin. “Vetëm Gjilani di të bëjë këso mrekullish”, ishin fjalët e para të Dr. Rugovës pas paraqitjes në skenë, dukshëm i entuziazmuar nga një numër aq i madh i simpatizuesve dhe qytetarëve që kishin ardhur ta dëgjonin fjalën e tij dhe paraqitjen e kandidatëve për deputetë.
Dukej që ishte më i emocionuar se asnjëherë më parë, sepse deri me atëherë nuk kishte arritur askush të mbledhë një numër aq të madh të simpatizuesve. “Ju falenderoj që keni ardhur në këtë tubim madhështor. Nuk kemi nevojë shumë për fjalë, sepse jemi afër me njëri-tjetrin, jemi bashkë”, tha Dr. Ibrahim Rugova para mbi 30 mijë qytetarëve në Gjilan. Dr.Ibrahim Rugova përshëndeti në mënyrë të veçantë babain e Agim Ramadanit.
Në vazhdim Kryetari i LDK-së u përqendrua në zhvillimin e Kosovës gjatë këtyre dy vjet e gysmë. “Siç e theksuan edhe kryetari Haziri, edhe kryetari Berisha kemi bërë një progres të madh së bashku me UNMIK-un, KFOR-in, OSBE-në. Prandaj, kemi një falenderim të madh për ta dhe duhet të punojmë së bashku”, tha kryetari i LDK-së, Dr. Rugova..
Ndërkaq, kur foli për programin e LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova tha se “programi i LDK-së është një program juaji, program i popullit, një program i shtetit dhe për shtetin e Kosovës, është një program për pavarësinë e Kosovës, për miqtë tanë që na kanë ndihmuar dhe me të cilët do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen”, tha ai.
“Përparësi do të ketë zhvillimi ekonomik, forcimi i sektorit privat, investimet dhe stabiliteti politik, që gjithsesi pas këtyre zgjedhjeve do të jetë shumë më i madh”, nënvizoi Dr. Rugova, duke theksuar se të bëhet forcimi i ekonomisë së Gjilanit, sepse ajo punon me kapacitet edhe tani, por duhet patjetër që të forcohet ekonomia e Kosovës dhe të krijohen vende të reja të punës, sidomos për brezat e rinj. “Të rinjve kemi obligim që t’u krijojmë punë, që të krijojnë familje, për të vazhduar historinë e lavdishme të Kosovës”, tha kryetari Rugova. “LDK-ja do të punojë për pavarësinë e Kosovës, sepse de fakto jemi të pavarur dhe të lirë, falë zotit, NATO-s, SHBA-ve dhe miqve”, tha Rugova, duke theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës do ta qetësonte popullin e Kosovës dhe gjithë rajonin. “Pavarësia është çëshje e ekzistencës së këtij populli.
Këtë e kemi dëshmuar me referendum popullor me 1991″, vlerësoi Dr. Rugova.
Duke folur për Gjilanin Dr. Rugova në vazhdim tha: “Në Gjilan prodhohet një prej duhanit më të mirë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë. Unë kam një propozim për fabrikën dhe për kryetarin e komunës nëse e marrin parasysh, që të prodhohet cigarja me emrin ‘Pavarësia’, ose ‘Indipedence’. Amerikanët e kanë një cigare të këtillë, amerikanët e kanë të shenjtë pavarësinë. Prandaj, edhe për ne pavarësia ka qenë, është dhe do të jetë e shenjtë”, duke shtuar në programin e LFK-së është paraparë ndërtimi i Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë.
Pastaj Rugova tha: “Rroftë Kosova e pavarur, e lirë, e integruar në NATO-n, në Bshkimin Evropian dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të”.
Në përmbyllje të fjalës së tij kryetari Rugova kërkoi nga Televizioni i Kosovës më tepër korrektësi në prezentimin e tubimeve parazgjedhore të të gjitha partive, duke aluduar në injorimin e djeshëm nga ky televizion të tubimit të LDK-së në Mitrovicë, meqenëse TV Kosova është televizon publik dhe jeton edhe nga taksat që paguajnë qytetarët e Kosovës.
Në fund të këtij tubimi u mbajt një manifestim i madh muzikor me yjet e njohura të estradës kosovare.