Rruga Preshevë – Gjilan

Të dhëna rreth ndërtimit të rrugës Preshevë-Gjilan kah karadaku i Preshevës

Ndërtimi i rrugës Preshevë-Gjilan kah karadaku i Preshevës nisi në kohën sa ishte Mehmet Jusufi, kryetar i Komunës së Preshevës (në mandatin 1967-1970). Por asnjëherë nuk janë ofruar të dhënat rreth nismës për ndërtimin e kësaj rruge dhe në sa faza ka kaluar finalizimi i saj.

Të dhënat thonë që, në kohën sa kryetar komune në Preshevë ishte Mehmet Jusufi, një delegacion i përbërë nga Selim Selimi, deputet popullor federativ nga Presheva, Sami Qerimi, delegat i dhomës së punës së bashkuar, Dobri Nikolic po ashtu delegat, si dhe Mehmet Jusufi, kryetar komune vizitojnë zyrtarisht Komandantin e Zonës së Tretë të Armatës Jugosllave në Nish, Steva Mirkoviç, për të kërkuar ndihmën e tij, që të niste hapja e një rruge nga Presheva për në Gjilan kah karadaku i Preshevës, me arsyetimin që do t’ishte një rrugë më e shkurtër për popullatën për të udhëtuar në Gjilan.

Steva Mirkoviç i pret në zyrë. Pasi dëgjon kërkesën e tyre, e nxjerr një hartë zonale (ushtarake) dhe ua tregon pikat strategjike. Meqë, pikat përputheshin dhe meqë ajo rrugë kah karadaku i Preshevës për Gjilan konsiderohej strategjike, sepse lidhte Serbinë me Kosovën, u premton që do t’u ndihmonte të realizohej ai projekt. Por meqë nuk mund t’u ndihmonte materialisht, sepse, siç arsyetohet ai, nuk e kishte mundësinë, u premtoi që do të ndihmonte me fuqi punëtore, duke dërguar ushtarët si fuqi punëtore.

Kërkesa e delegacionit preshevar shkon tutje dhe miratohet nga qeveria shtetërore e asaj kohe.

Pasi merret miratimi i projektit, Steva Mirkoviç dërgon Njësinë Inxhinierike të Zonës së tretë të Armatës Jugosllave me seli në Nish, për të ndihmuar në përgatitjen e trasesë së rrugës Preshevë-Gjilan.

Mbikëqyrës i punëve në atë rrugë caktohet Krste Remenski që aso kohe punonte në Komunën e Preshevës.

Fillimisht rruga shtrohet me zhavorr. Ndërkohë që rruga asfaltohet deri te Livadhi i Shehit gjatë viteve të shtatëdhjeta (në kohën kur kryetar komune në Preshevë ishte Hasan Hajrullahu). Ndërsa aksi rrugor Livadhi i Shehit-Muçibabë asfaltohet në vitin 1978 (kur kryetar komune ishte Abedin Selimi) dhe në kohën sa ishte kryetar komune në Preshevë, Abedin Selimi, nis qarkullimi i linjës së autobusit të Kosovatransit: Gjilan-Preshevë-Gjilan.

Shkruan: Ferid Selimi

Të ngjajshme