Qeveria dërgon KEDS-in në Polici

 Qeveria dërgon KEDS-in në Polici

Gjatë krizës me energji elektrike, përveç reduktimeve të rrymës, shumë vendbanime në Kosovë janë përballur edhe me një problem të kësaj çështjeje, e ajo është ndërprerja e ndonjërës fazë të rrymës duke bërë që edhe kur nuk ka pasur reduktime, qytetarët ta kenë të pamundur t’i plotësojnë të gjitha nevojat e konsumit në amvisëri, e edhe në industri.

Ky veprim, që me shumë gjasë është bërë nga KEDS, nga qeveria po shihet si antiligjor, dhe për këtë kanë marrë masa që rastin ta dërgojnë edhe në polici për hetim.

Situata e rënduar energjetike, ka bërë që Qeveria aktuale një pjesë të përgjegjësisë të ia adresojë kompanisë turke e cila është përgjegjëse për furnizimin e vendit me energji elektrike.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nga foltorja e Kuvendit ka bërë të ditur se kanë bërë një dosje gati rreth kësaj problematike të cilën do ta dorëzojnë në polici për hetim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Ka pasur ankesa se nuk kanë punuar të gjitha fazat në shumë lokacione. Për këtë ne jemi duke e përgatitur edhe një dosje të cilën do ta dorëzojmë në polici, mirëpo po presim edhe nga ZRRE’ja që të bëjë punën e saj dhe të hulumtojë se çfarë është duke ndodhur”, ka thënë ministrja Rizvanolli.

Përveç kësaj, ajo ka theksuar edhe një pretendim për mashtrim nga ana e dy komanive turke që kanë për obligim furnizimin e vendit me energji elektrike, KEDS dhe KESCO. Ajo ka thënë se ka dyshime që këto dy kompani nuk po operojnë si të pavarura siç e kanë obligim, por po ndërveprojnë në mes vete, duke e bërë edhe më problematike situatën e furnizimit me energji elektrike.

“Ne gjithashtu kemi dyshime se këto dy kompani KEDS dhe KESCO nuk janë duke punuar si të pavarura sipas ligjit por kemi informacione se janë duke ndërvepruar dhe të gjitha këto e kanë vështirësuar qasjen tonë për të ndërhyrë për të rregulluar situatën në treg”, ka thënë ministrja Rizvanolli. /Reporteri.net/

Të ngjajshme