“Pronto 2”!
Shkruan: Florim ZEQA
U shkrua dhe u tha shumë, iu dhe mbështetje dhe u bënë kundërshtime, ndodhën fyerje dhe linçime të llojeve të ndryshme me rastin e arrestimit të kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili, dorën në zemër, arrestimin e kishte të merituar ashtu siq e meriton edhe ndëshkimin (gjykimin) për goditjen me shuplakë të policit në kryerjen e detyrës shtetërore.
Stimulimi i vandalistëve i ka lënë derën hapur dhunës ndaj zyrtarëve shtetërorë
Mosndëshkimi i huliganëve dhe vandalistëve shumë vite më parë dhe ardhja e tyre në majat e shtetit disa vite më pas, siç duket është bërë frymëzim për Dardanin dhe shumë dardanë të tjerë në Republikën e Kosovës!
Duhet rikujtuar lexuesve se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla me 12 të tjerë, në mesin e tyre edhe Dardan Molliqaj, janë me aktakuzë të ngritur më 14 Mars 2014 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për hedhje të gurëve, ngjyrës, sfera të qelqit, shishe dhe mjete piroteknike kundër pjesëtarëve të Policisë më 27 qershor të vitit 2013 në protestën kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ministri Sveçla me ish bashkëpartiakun Molliqaj e të tjerë, jo vetëm që nuk janë dënuar, e injorojnë Gjykatën Themelore në Prishtinë me mospjesëmarrje në seancë dhe asgjë kurrkujt. Në cilin shtet ndodhë që ministri e injoron institucionin e pavarur shtetëror të drejtësisë, siç është gjykata, në cilin shtet ndodhë që huliganët dhe vandalistët të vijnë në krye të shtetit!
Ndodhë vetëm në Kosovë që një kandidat i dënuar për vepra penale të vie në krye të institucioneve të shtetit, e madje edhe në krye të ekzekutivit siq është rasti me Albin Kurtin, i cli ishte hequr nga lista për deputet për shkak të dënimit për kryerje të veprës penale, por paradoksalisht, i njëjti ligj ia mundësoi zgjedhjen kryeministër i vendit!
Sveçla të kujton kohën e klanit “Pronto”
Për shkak të mos shkuarjes në gjykatë të ministrit Xhelal Sveçla, shtyhet gjykimi edhe i të akuzuarve të tjerë për protestën e organizuar më 27 qershor 2013, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë së cilës kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe e mjete piroteknike kundër zyrtarëve policorë, ku si pasojë lëndime të lehta kanë pësuar katër policë dhe janë dëmtuar katër vetura zyrtare dhe janë kryer edhe veprime tjera të dhunshme dhe huligane.
Mirëpo të ardhurit në pushtet me premtimet për barazi ligjore dhe sociale janë kthyer në injoruesit më të mëdhenj të institucioneve të pavarura të drejtësisë, siç janë prokuroria dhe gjykatat. Kështu kishte ndodhur në kohën e klanit “Pronto”, po ndodhë edhe tani kohën e qeverisjes së ish huliganëve dhe piromanëve të institucioneve shtetërore!
Si ta quajmë tani klanin e ri, “Pronto 2”, të cilit drejtësia ia ka frikën!
Reagimi qesharak i deputetes
“Me Dardanin skifterë e me Radojçiqin pula” ishte reagimi i një deputeteje opozitare e cila i doli në mbrojtje Dardan Molliqajt, duke aluduar në kryeministrin Albin Kurti. Por e njëjta deputete, me qëllim po harron se i njëjti Radojçiq ishte edhe në kohën e tyre, pse nuk e arrestuan gjatë qeverisjes së tyre?!
Për arrestimin e Molliqajt dhe mosarrestimin e Radojçiqit nuk duhet akuzuar policia për mosefikasitet, por urdhërdhënësit e tyre filluar nga kryeministri Kurti, ministri Sfeçla dhe drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Policia e ka sqaruar rastin se i dyshuari (Milan Radojçiq) gjatë hyrjes në pikën kufitare në Bërnjakë, nga Serbia në Kosovë, gjersa zyrtarët policorë ishin duke e verifikuar, ishte larguar mbrapa në drejtim të Serbisë duke ua lënë “këmbët e arushës” (dokumentet) në dorë!
Arrestimi i vonuar i Molliqajt, dënimi qesharak
Jam ndër ata që nuk kanë asgjë personale me Dardan Molliqajn, isha dhe jam pro-protestës paqësore kundër shtrenjtimit të rrymës, por jam kundër sulmit të Dardanit ndaj policit në detyrë, gardianit të rendit dhe ligjit në prezencën e dy komandantëve të njësive operative dhe të gjithë njësisë policore në krye të detyrës në mbrojtje të objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës!
Mirëpo, siç duket e kaluara e tyre e përbashkët (Kurti-Molliqaj-Sfeçla) në kryerjen e akteve vandaliste, me thyerje dhe djegie të institucioneve shtetërore, ka bërë që Molliqaj të shpërblehet me masën më të lehtë ndëshkimore, “lajmërim në Polici”, masë e cila është pak më tepër se qesharake. Mbase ndodhi pikërisht kështu, për faktin se në të ardhmen e afërt mund t’i shohim sërish bashkë në bankën e të akuzuarve Molliqajn dhe Sfeçlën në Gjykatën Themelore në Prishtinë!