Mërgimtari nga Kosova që preku majat e shkencës në Gjermani
I riu shqiptar, Shpëtim Bajrami, tashmë është doktor shkence në shtetin e Gjermanisë, shkruan albinfo.at.
Shpeshherë për njeriun mjafton dëshira, puna dhe vullneti për të arritur në realizimin e ëndrrave, aty ku do.
Pa dyshim që shumë të rinj shqiptarë janë duke arritur suksese të mëdha në botë, jo vetëm në fushën e muzikës dhe të sportit, por edhe në shumë fusha të tjera profesionale akademike. E patjetër njëra nga këto është edhe Shpëtim Bajrami, me prejardhje nga qyteti i Vushtrrisë.
Shpëtim Bajrami me afat rekord mbrojti me sukses temën e disertacionit në Gjermani, “E drejta e shteteve për vetëmbrojtje kundër aktorëve joshtetërorë”, disertacion në të drejtën publike.
I lindur në Kosovë dhe i shkolluar në Gjermani, Dr. Shpëtim Bajrami i shtohet drejtësisë gjermane si një kuadër i ri me rrënjë shqiptare.
Shpëtim Bajrami ka studiuar drejtësi në Universitetin Heinrich Heine në Düsseldorf.
Theksohet se gjersa pëgatiste doktoraturën, ai punoi si asistent kërkimor në katedrën e së drejtës publike II të Prof. Payandeh në Fakultetin Juridik “Bucerius “ në Hamburg, bën të ditur veprimtari nga diaspora, Vehbi Haliti, veprimtar nga Austria.
Shpetimi përfundoi dy studime kërkimore si pjesë e projektit të doktoraturës, një në qendrën “Lauterpacht “për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit dhe tjetra në Institutin Universitar Evropian në Firence.
Rezultatet dhe argumentet e ligjëratës u diskutuan më pas me komisionin provues, të përbërë nga profesori drejtues Dr. Linda Kuschel dhe profesorët Dr. Christian Bumke dhe Dr. Mehrdad Payandeh, dhe të gjithë e vlerësuan me notën më të lartë.