Më 4 tetor LDK do ta mbajë Kuvendin e Punës për agjendën programore Gjilani i Gjelbër 2025+

 Më 4 tetor LDK do ta mbajë Kuvendin e Punës për agjendën programore Gjilani i Gjelbër 2025+

Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, ka mbajtur konferencë për medie në selinë e LDK-së në Gjilan.

Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, z. Lutfi Haziri, ka mbajtur konferencë për medie, ku para qytetarëve të komunës së Gjilan ka paraqitur programin e Degës për muajt e ardhshëm. Gjithashtu, sot janë bërë publike edhe katër kandidaturat e Degës për zgjedhjet e përgjithshme të cilat do të mbahen me 9 shkurt 2025.

Jemi në takime të shpeshta me qytetarë, me shoqëri civile, dhe me një punë të madhe të komisioneve tona profesionale në Degë, së bashku me Forumin e Rinisë dhe Forumin e Gruas, së bashku me strukturat e Degës, jemi të gatshëm të bëjmë një program të mirë dhe të duhur për “Gjilanin e Gjelbër 2025+”.

Me 4 tetor 2024, do ta mbajmë Kuvendin e Punës të Kryesisë së Degës, në të cilën do të diskutojmë axhendën programore për komunën tonë “Gjilani i Gjelbër 2025+”.

Në tetor gjithashtu, do të organizohet Konventa e Rinisë, në të cilën do të diskutohet roli i rinisë në qeverisjen qendrore dhe lokale, e gjithashtu do të kemi diskutime e debate edhe me grupmoshat e reja, përfshirë nxënësit, studentët dhe të rinjtë aktiv të shoqërisë civile, për të mirën e komunës sonë.

Poashtu, në nëntor, Forumi i Gruas do ta mbajë Konventën e Gruas. “Gruaja për Gjilanin” do të jetë moto e kësaj konvente, që nënkupton se gruaja do të jetë edhe pjesa qendrore e qeverisjes së ardhshme, ashtu siç është edhe pjesa kryesore e shoqërisë. Gratë janë të barabarta me burrat, e të tilla duhet t’i trajtojmë. Do të jenë të lira të punojnë në tregun e punës poaq sa edhe burrat. Pengesat për to do t’i tejkalojmë së bashku.

Konventa Zgjedhore për LDK-në e Gjilanit do të jetë në dhjetor. Ne do t’i konfirmojmë këto politika për Gjilanin dhe për kujdesin e Prishtinës ndaj Gjilanit dhe Anamoravës në të ardhmen.

Poashtu, kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, sot bëri publik edhe emrat e katër kandidatëve të Degës tonë për zgjedhjet e pergjithshme parlamentare, të cilat do të mbahen me 9 shkurt 2025.

Katër kandidaturat e para janë:

1. Lirije Kajtazi- ish-kryetare e Forumit të Gruas, deputete për disa mandate dhe zonjë e cila frymën rugoviane e ka bartur e vazhdon ta bartë kudo që është. Ajo përfaqëson gjeneratën e parë të LDK-së dhe kandidimi i saj nderon listën tonë.

2. Valentina Bunjaku-Rexhepi- kryetare e Forumit të Gruas në Gjilan, nënkryetare e Forumit të Gruas në nivel qendror dhe deputete aktuale në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përfaqeson gjeneratën e dytë të LDK-së dhe ka kontribut të jashtëzakonshëm në partinë tonë. Të nderuar ta kemi në listë.

3. Avdyl Aliu- poashtu përfaqëson gjeneratën e dytë të LDK-së për shkak të kontributit të madh edhe të familjes së tij më herët në LDK. Aktualisht është nënkryetar i Degës dhe Shef i Grupit të Këshilltarëve në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Është nga fusha e biznesit, dhe natyrshëm një veprimtar si z. Aliu nderon Degën tonë në përfaqësim për nivelin qendror.

4. ⁠Bardhyl Syla- ish-anëtar i Kuvendit Komunal dhe nënkryetar i Degës. Që nga fillimi në familjen tonë politike. I dëshmuar si me votë, ashtu edhe me punë në Gjilan. Tani ai nderon listën tonë me kandidimin e tij.

Ka shumë emra kredibil në LDK që meritojnë të jenë pjesë e kësaj liste. Katër të nominuarit kanë treguar vetën dhe punën e tyre për vite me radhë në të mirën e qytetarëve tanë. Jemi të bindur se do të jenë zëri i qytetarëve të Gjilanit e Anamoravës në Kuvendin e Republikës. Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së në Gjilan

Të ngjajshme