Lutfi Haziri: Nuk kemi nevojë të nxisim frikë për luftë
Nënkryetar i LDK-së, Lutfi Haziri përmes një lidhje direkte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka thënë se nuk është e nevojshme që të nxitet frikë për luftë.
Ai tha se politikanëve iu vjen një moment ku duhet të marrin vendime të vështira dhe sipas tij ajo kohë po vjen për Kosovën.
“Politikanëve iu vjen momenti dhe koha që duhet të sjellin vendime të vështira dhe ajo kohë po vjen për Kosovën. Në këtë rrafsh përparësia e delegacionit tonë në tavolinën e dialogut është e madhe dhe nuk kemi nevojë të mbrohemi, por nuk kemi nevojë as të shtrojmë frikë tek njerëzit, brenda dhe jashtë Kosovës se Serbia do të mund nesër të zbarkojë në territor të Kosovës me forca ushtarake apo policore”, u shpreh ai.
Tutje, Haziri u shpreh se Kosova ka një garancion, praninë ndërkombëtare siç janë forcat e NATO-s
“Jo vetëm që Kosova e ka një garancion, praninë ndërkombëtare siç janë forcat e NATO-s, e forcat e NATO-s në Kosovë quhen forcat e Kosovës edhe më tutje, duke përfshirë edhe kapacitetet tona që janë duke u ndërtuar dhe këto e bëjnë të qartë që nuk po kërcënon lufta, por po kërkohet dialogu, po kërkohet zgjidhja”, tha ai.