Ky fshat lundron mbi ujërat minerale
Rajoni i Gjilanit është i pasur me ujëra minerale. Këtu gjenden disa banja të njohura për vetitë e tyre shëruese dhe rehabilituese si dhe burime të tjera minerale, si në Kllokot, Miresh, Uglar, Zhegoc, Nasalë e gjetiu.
Pikërisht këto hapësira termale e bëjnë këtë rajon të ketë ndjeshmëri më të lartë sizmike se disa zona tjera në Kosovë, shkruan mediafokus.info
Nasala është një fshat buzë lumit Morava e Binçit, që ditën lundron dhe natën fle mbi ujërat minerale.
Këtu thonë se uji mineral është një begati e rrallë, që do ta dëshironin të gjithë njerëzit, por nuk e kanë.
Me këtë ujë bëhen pogaçe
të mira sa nuk ka më. Por “minerali” nuk është ujë për të varfër, sepse tretë gjithçka. E bluan edhe barkun e thatë të skamnorëve, thonë banorët e këtushëm.Atje bunarët hapen vetëm gjatë dimrit, kur temperaturat janë të ulëta, sepse verës është rrezik nga dyoksidi i karbonit.
Banorët e Nasalës e dinë këtë rrezik dhe nuk bëjnë gabime të tilla. As bunarët nuk i hapin gjatë verës.
Bunarët në Nasalë të japin ujë jete, po edhe vdekje, nëse nuk i njeh të mirat dhe të këqijat e tyre. Natyra i ka ligjet e veta dhe me to nuk bëhet dot kompromis.
Për Nasalën dhe ujërat minerale në këtë fshat, ka edhe legjenda të ndryshme, që janë bartur brez pas brezi.
Thonë se dikur moti, vajzat që martoheshin në këtë fshat kishin problem me ujët, derisa nuk mësoheshin. Ka ndodhur që në fillim edhe të kenë marrë ujë nga shtëpia e babës.
Sipas një legjende tjetër, dikur këtu kishte shpërthyer ujët deri në qiell, derisa po hapeshin disa bunarë dhe, siç thuhet, mezi kishin shpëtuar njerëzit.
Në Nasalë janë të vetëdijshëm se një rajon kaq i pasur me ujëra e gazra të dyoksid karbonit, përbën një resurs të madh zhvillimor, që duhet të shfrytëzohet më tepër se për ta pirë me gotë e me kovë.
Ka me bollëk. Bunarët janë të mbushur me ujë deri në grykë. Këtu, çuditërisht, vetëm një bunar është me ujë të ëmbël, gjithë të tjerët janë mineral.
Banorët e fshatit nuk e ndërrojnë ujët e tyre me asnjë pije tjetër. Ata kanë plane e dëshira për të hapur fabrika të vogla të ujit mineral në Nasalë, por duhen investime për të realizuar projekte të tilla.
“Ku ka ujë, ka jetë, por ku ka ujë mineral, ai vend është i bekuar nga Zoti”, thonë këtu.
Nasala vazhdon të “lundrojë” mbi ujërat minerale, me legjendat dhe të vërtetat për jetën në këtë fshat të komunës së Gjilanit. Këtu gurgullojnë bunarët verë e dimër, pogaçet bëhen pa sodë, ndërsa njerëzit kthejnë edhe për të mbushur ndonjë shishe dhe për të shuar etjen me ujët e bekuar të kësaj fushe të Karadakut./mediafokus.info