Ky është djali i teneqexhiut të Gjilanit, sot milioner në Turqi

 Ky është djali i teneqexhiut të Gjilanit, sot milioner në Turqi

Fahretin Gylener migroi në Turqi në moshën 5-vjeçe, si fëmijë i një familje teneqexhinjsh nga Gjilani. Si kujtim të atyre viteve të largëta, Fahretini ruan në fabrikën e tij të auto-pjesëve një fotografi bardh e zi, ku ai shihet me një çekan në dorë afër babait të tij teneqepunues, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Biznesmeni me origjinë nga Kosova ka themeluar vetë një zonë të tërë industriale në regjionin e madh të Bursës, ku ka hapur fabrikën e auto-pjesëve, fabrikën e prodhimeve ushqimore si dhe një qendër për aftësimin profesional të të rinjve.

Gylener njihet në Turqi jo vetëm si biznesmen i suksesshëm, por edhe si ish-ligjvënës. Është konsull nderi i Kosovës për Bursa dhe qytetar nderi i Gjilanit.

“Kosovën e kam në zemër”, thotë ai dhe nuk e fsheh dëshirën për të bërë diçka për vendlindjen e tij.

Ka qenë i gatshëm të investojë në Kosovë, ku ka qenë shumë herë për t`i parë kushtet që ofron vendi ynë, bashkë me disa biznesmenë të tjerë, por nuk e ka gjetur ambientin e duhur. Sipas tij, Kosova ka të rinj që janë shumë inteligjentë, por nuk e njohin anën praktike të punës.

‘Arsimi në Kosovë është shumë teorik, ndërsa i mungon pjesa praktike. Nxënësit këtu mbarojnë shkollat teknike dhe nuk kanë prekur kurrë makinë me dorë. Ata nuk janë të gatshëm për punë’, thotë Gylener.

Fëmija i mjeshtrit të shporeteve të zeza, dikur në Gjilan, ndonëse është rritur dhe formuar në Turqi, ku ka arritur të bëhet milioner dhe shumë i famshëm, e ruan një dashuri të madhe për Kosovën.

Kujton kohën e luftës dhe thotë se Turqia e ka përkrahur Kosovën.

Historia e luftës ka marrë fund me fitoren e Kosovës dhe askush më nuk ka nevojë të vdes për atdhe, sepse Kosova tash është e lirë.

“Për Kosovën tani duhet të vdiset duke punuar”, thotë ai.

Kosova, sipas tij, ka mundësi të mëdha për zhvillim, por duhet të krijojë kushte për investime. Porosia e njeriut që ka përshkruar një rrugë suksesi në biznes është që të punojmë shumë.

“Edhe unë jam njëri prej juve. Gjithçka kam bërë me punë”, thotë ai.

Në Turqi është një fjalë, që thotë se njeriu që e di punën, është njeriu që dinë ta bëjë punën. ‘Në punë duhet të jeni inatçi. Ai që s`e ka inatin, nuk e ka as madhështinë e vetë’, thotë djali i ish-teneqexhiut nga Gjilani, tani milioner në Turqi. /Retro: Mediafokus.info/

Të ngjajshme