Kush ishte Mulla Nusret Hajdari?

 Kush ishte Mulla Nusret Hajdari?

Hoxhë Nusreti u lind më 1 tetor 1968 në fshatin Dobërçan të Gjilanit, në një familje me traditë kombëtare e fetare. Të parët e hoxhë Nusretit janë me origjinë prej fshatit Çarr të Malësisë së Bujanocit, të cilët u shpërngulën në fshatin Dobërçan të Gjilanit në vitet e ’50-ta. Gjyshi i tij, haxhi Sylejmani, njihej si prijës i fisit, pajtimtar i gjaqeve, patriot dhe njëri ndër vullnetarët e Malësisë së Hashanisë, në mbrojtjen e kufirit lindor të Kosovës me Serbinë.
Mulla Nusret Hajdari, shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në vitin shkollor 1988/1989, mbaroi medresenë e mesme ‘’Alaudin’’ në Prishtinë. Pas mbarimit të medresesë u angazhua për një kohë të shkurtër në detyrën e imamit në xhaminë e fshatit Pogragjë, ku e ndërpreu për shkak të shkuarjes në shërbimin e detyruar ushtarak jugosllav të asaj kohe. Pas kthimit në vitin 1991, për një vit u emërua imam në xhaminë ‘’Atik’’ të Gjilanit, ndërsa, që nga viti 1992, emërohet imam i rregullt në xhaminë e poshtme të fshatit Dobërçan, ku shërbeu deri në momentet e fundit të rënies së tij për lirinë e Kosovës me 13 Qershor 1999.
Hoxhë Nusreti, si duket kishte ndjekur idealet e atdhetarit të madh Mulla Idriz Gjilanit, i cili dikur moti pati thënë se: ‘’S’ka Fe pa Atdhe’’, andaj edhe angazhimi i tij në kohët më të vështira për popullatën e fshatit tonë ishte për t’u dalë në mbrojtje dhe t’i përmbushë detyrat që i takojnë një prijësi të devotshëm kombëtar e fetar, ashtu siç ishte Ai. Kjo veprimtari patriotike e hoxhë Nusretit, u kishte penguar armiqve serbë, andaj edhe e vranë në krye të detyrës, me 13 Qershor 1999, kur e panë se nuk tërhiqej dot nga angazhimi dhe idealet e tij dhe të shokëve me të cilët angazhoheshin së bashku. Në momentet kritike, së bashku me hoxhë Nusretin ishte edhe mësuesi Basri Bislimi, i cili mbeti i plagosur së bashku me kushëririn e hoxhës, Hafiz Hajdari si dhe rrahën e malltretuan aktivistin Hamdi Kastratin, haxhi Januzin, dhe disa familjarë e bashkëfshatar të tjerë.
Në të njëjtën ditë, kur forcat militare e paramilitare serbe e sulmuan Dobërçanin gjatë tërheqjes së tyre për andej nga kishin ardhur si pushtues shekuj më parë, ata dogjën edhe xhaminë e epërme të fshatit Dobërçan, e cila ishte njëra ndër xhamitë më të vjetra të Kosovës, e ndërtuar rreth vitit 1527. Banorët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, për t’u strehuar në periferi të fshatit, e më pas një pjesë e madhe e tyre natën e kaluan në fshatin Malishevë të Gjilanit.
​Hoxhë Nusreti u varros të nesërmen më 14 qershor 1999, në kushte të jashtëzakonshme dhe pa ndonjë ceremoni të madhe, për shkak se situata ende ishte e me plot rreziqe dhe nuk kishin lejuar që pjesëmarrja në ceremoninë e varrimit të ishte e madhe dhe se duhej të kryhej sa më shpejtë.
​Pas përfundimit të luftës, fshati Dobërçan i nderoi dëshmorët Mulla Nusret Hajdarin dhe Mehmetali Behlulin, duke ndërtuar Parkun e Dëshmorëve, në të cilin është ngritur lapidari, ndërsa në vazhdimësi në përvjetorët e tyre ka organizuar dhe vazhdon të organizojë aktivitete me të cilat përkujtohet jeta dhe vepra e tyre, në shenjë falënderimi dhe mirënjohje për sakrificën e tyre sublime, për të na sjellë lirinë e cila u fitua edhe me gjakun e tyre të njomë.
​Edhe sot, në këtë 20 vjetor, aktivist, kryetarët e nëndegëve të partive politike, xhemati i dy xhamive në krye me imamin e xhamisë së epërme, familjarët e dëshmorit Mehmetali Behlulit dhe shumë bashkëvendës të tjerë, nderuan jetën dhe veprën e hoxhë Nusretit, duke bërë homazhe pranë varrit të tij, si dhe duke vizituar familjen.
​Lavdi jetës dhe veprës së Mulla Nusret Hajdarit!

Të ngjajshme