Kush është YMER SADIKU

 Kush është YMER SADIKU

Ymer Sadiku u lind, më 16.03.1951, në fshatin Qarr, Komuna e Bujanocit. Katër vitet e para të fillores i kreu në vendlindje, ndërsa katër vitet tjera në shkollën fillore në Zarbicë, të cilën e mbaroi në vitin 1965. Shkollën e mesme e vazhdoi në Gjilan duke u regjistruar në shkollën normale të atëhershme, e cila ishte pesëvjeçare. U pajis me diplomë të kësaj shkolle në vitin 1973/74. Posa e përfundoi Normalen, u punësua si mësues në fshatin Priboc, paralele e ndarë fizike e shkollës së Zarbicës, në të cilën punoi deri në vitin 1983. Si çdo kund edhe në fshatrat e Malësisë, e kërkonte nevoja që të lëviznin mësuesit nga një shkollë në shkollën tjetër, nga një fshat në fshatin tjetër. Kështu Ymer Sadiku, pas Pribocit, dy vjet punoi në Zarbicë për tu rikthyer përsëri në shkollën fillore në Priboc, ku punoi vetëm një vit (1985/86). Dhe nga 1 shtatori i vitit 1986 transferohet në shkollën e fshatit të tij të lindjes, në Qarr, i cili punoi deri në vitin 2000. Në këtë vit, shkolla e Qarrit mbeti pa asnjë nxënës si pasojë e shpërnguljes së banorëve, prandaj ai u detyrua të shpërngulet në Gjlan. Në qytet nuk pati fatin të punësohet në ndonjë shkollë, por ai u punësua në shkollën fillore të fshatit Kishna Polë, Komuna e Gjilanit, në të cilën punoi deri sa doli në pension (16.03.2017). Gjatë gjithë karrierës së tij si mësimdhënës, në të gjitha shkollat, punoi me përkushtim, pa përtesë, me vullnet e dëshirë të madhe. Ishte i bindur se vetëm kështu do të mund të jepte atë për çka ishte përcaktuar, arsimimin e gjeneratave të reja, përkatësisht të kryej me nderë misionin që e kishte marrë, si mësues. Edhe në fshatrat e Malësisë së Bujanocit, siç tregon vet mësuesi Ymer, sikur edhe në fshatin Kishna Polë nuk kishte munguar asnjë herë në orët e mësimit. Ishte, pra i përpiktë në mësim, sa që arsimtarët dhe drejtori i shkollës të Kishna Polës ishin habitur për mos mungesat e mos vonesat në mësim. Tani jeton dhe e gëzon pensionin në Gjilan.

Të ngjajshme