Kush është Shaban Hasan Rexhepi
Shaban Hasan Rexhepi, u lind, më 01.03.1961, në fshatin Priboc, Komuna e Bujanocit. Shkollën fillore e filloi në vitin 1968 dhe e mbaroi më 1976. Pra, pesë klasat e para i kreu në shkollën e Pribocit, paralele të ndara të Shkollës Fillore “Skënerbeu” në Zarbicë, ndërsa tri vitet tjera të fillores i përfundoi në Zarbicë. Shkollën e mesme, Akademinë Pedagogjike “Skënderbeu” Grupi Klasor, e filloi në vitin 1976 në Gjilan, për ta vazhduar pastaj, të njëjtën, në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, të cilën e mbaroi më 1980. Studimet i vazhdoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike ” Skënderbeu”, Grupi Klasor, po në Gjilan. Pas mbarimit të Shkollës së Lartë, për herë të parë, e filloi punën, si mësimdhënës, në vitin 1985, në shkollën fillore të fshatit Novosellë, paralele e ndarë fizike e shkollës amë të Zarbicës. Gjatë viteve 1987/1988, 1992 punoi si mësimdhënës i mësimit lëndor në fshatin e tij të lindjes, Priboc dhe shkollën amë në Zarbicë, ndërsa nga viti 1992 e deri në vitin 1999, punoi në shkollën filloren në fshatin Qarr, paralele e ndarë fizike e Shkollës Fillore amë “Migjeni” të Muhocit. Në vitin 1999, pas vendosjes së forcave policore ushtarake serbe në fshatrat e Malësisë së Bujanocit, u bë i pamundshëm qëndrimi në fshat nga maltretimet e dhuna qe filluan mbi popullatën shqiptare, prandaj, si shumica e popullatës së Malësisë së Bujanocit, edhe Shabani bashkë me familje, detyrohet të largohet nga vendlindja dhe të vendoset në Gjilan, me shpresë se një ditë do të kthehet përsëri në vendlindje, mirëpo kjo deri më tani mbeti vetëm dëshirë dhe shpresë për të ardhmen. Në Gjilan, pati fatin të punësohet në bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli” ku edhe ende punon. Punën në bibliotekë e ka kryer dhe e kryen me nderë, përkushtim e seriozitet. Për angazhimin, punën e palodhshme, Shabani u nderua me mirënjohje nga biblioteka. Po ashtu, në vitin 2012, u shpall punëtori më i mirë i bibliotekës, i cili edhe u nderua me mirënjohje nga Komuna e Gjilanit. Tani punon dhe jeton në Gjilan.