Kush është Naser Ibrahimi?
I lindur më 1957, Naser Ibrahimi, kitarën e parë e kishte blerë më 1972, që ishte gjenerata e dytë e kitaristëve në Gjilan. Ai ka pasur 12 këngë të incizuara ne Radio Gjilani, kënga më e dëgjuar e tij “Besa” edhe sot pëlqehet me ëndje. Në vitin 1983 u paraqit në RTP në emisionin “Në orët e Vona” dhe po atë vit bleu flautën e parë private në Gjilan, e nisi të luaj edhe në klaviaturë e kontrabas.
Ai prej se kishte arritur moshën e pjekurisë ishte anëtar i disa Shoqërive Kulturore e Artistike si: SHKA “Zenel Hajdini” në Gjilan, “Punëtori”, “ Integj”, SHKA “Ramiz Sadiku” Prishtinë e AKV “Gjilani”, kurse ishte edhe pjesë e disa rok grupeve gjilanase si “Golden Boys”, “ Mbledhësit e Luleve”, “Fenix” dhe “Eufonia”. I tërë ky aktivitet nuk e pengoi që të kryej edhe Shkollën e Lartë të Makinerisë, kurse menjëherë pas luftës e veshi uniformën e policit, që në gjeneratën e parë të SHPK-së, duke qenë zëdhënës rajonal i policisë për tetë vite me radhë. Që nga viti 2000, Naser Ibrahimi, për çdo vit lahet në borë, pastaj noton gjatë, kështu vitin e kaluar si 57-vjeçar, i ka notuar 57 gjiro (simbolikë e viteve së moshës) në pishinën e Uglarit “Shpëtimi “. Ai qëndrueshmërinë e tij ka nisur ta mas edhe nëpërmjet ngasjes me biçikletë, me të cilën ka udhëtuar nga Gjilani në Kamenicë, pastaj Ferizaj, Prishtinë e së fundi edhe në Tetovë, duke kaluar rrugën që përshkon Malet e Sharrit, vendkalimin kufitar në Glloboqicë e për të përfunduar në Tetovë, prej nga njëjtë është kthyer me biçikletë. “Gjithmonë e kam dashur natyrën, bukurinë e trojeve shqiptare, andaj jam i lidhur me të si në verë, ashtu edhe në dimër. E për t’a shijuar atë m’a ka mundësuar edhe profesioni i policit, ngase për një kohë kam punuar edhe në Novobërdë, vend me natyrë të mrekullueshme e tashti edhe në Malet e Karadakut në Stacionin e Zhegrës”, thotë polici Naser Ibrahimi, që është pjesëtar i një familjeje që ka kontribuar shumë për lirinë e Kosovës, ngase vëllai i tij, majori i karrierës Muharrem Ibrahimi, heroikisht kishte rënë në luftë në përballje me okupatorin.