Kush është Kadri Limani?

 Kush është Kadri Limani?

Kadri Limani, u lind, më 20.09.1954 në fshatin Priboc, Komuna e Bujanocit. Katër klasat e para të fillores i kreu në vendlindje, ndërsa vitet tjera të fillores i mbaroi në Shkollën Fillore ” Skënderbeu” në Zarbicë. Për shkak të kushteve jo të mira ekonomike, shumë fëmijë të fshatit mbeteshin pa vazhduar shkollimin. Në mesin e tyre ishte edhe familja e Kadriut, që kishte dilema se si do ta shkollojë më tutje, por vullneti për të mos ia ndërprerë shkollimin ishte më i fortë, kështu që ai, e vazhdon shkollimin në gjimnazin e Tërnocit e më vonë edhe e kryen Shkollën e lartë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Shkup. Pasi mbaron shkollimin e lartë në Shkup, pothuajse, menjëherë, punësohet në shkollën fillore në Zarbicë, si kuadër profesional i lëndës, njëherit ishte gëzim i madh i familjes, sepse tani do t’i bëhet krah i fortë për të përmirësuar kushtet e jetës. Në këtë shkollë punoi 22 vjet radhazi. Krahas punës në procesin mësimor, ai ishte pjesëmarrës në aktivitetet e ndryshme vullnetare që bëheshin në fshatin Priboc e Zarbicë, me punë fizike e me mjete financiare. Viti 1999 ishte kur të gjithë banorët e fshatrat e Malësisë u dëbuan nga vendlindjet. Ky fat e gjeti edhe familjen e Kadriut, i cili deshi zoti dhe në këtë dëbim, migroi në Australi. Edhe atje, siç ishte arsimtar i Gjuhës Shqipe, punoi me nxënësit e komunitetit shqiptar. Pas kthimit nga Australia, filloi punën, si mësimdhënës në shkollën e mesme, në Medresenë ” Alauddin”, në Prishtinë, dega në Gjilan, duke ligjëruar lëndën e Gjuhës Shqipe. Gjatë punës, në këto vende të ndryshme , për punën e suksesshme dhe performancën e mirë në punë ai u shpërblye me mirënjohje nga organizata vendore e ndërkombëtare si: Mirënjohje e veçantë nga departamenti i edukimit NSW Australi, disa herë u shpërblye me mirënjohje nga Medreseja “Alauddin” në Prishtinë e dega e saj në Gjilan. Tani jeton në Gjilan.

Të ngjajshme