Kush është Avdyl Beqir Arifi
AVDYL BEQIR ARIFI u lind në fshatin Zarbicë më 15.05.1950. Shkollimin fillor e vijoi në lagjen e tij, në Litesh 4 vite, ndërsa, 4 vitet tjera, në Zarbicë. Shkollën normale pesëvjeçare e përfundoi me sukses në Gjilan, për të vazhduar tutje në Akademinë Pedagogjike – Shkollën e lartë “Skënderbeu” në Gjilan. I takon plejadës së arsimdashësve dhe kontribuesve të arsimimit dhe edukimit të cilët nxorën shumë gjenerata të nxënësve në Malësinë e Bujanocit. Punën në mësimdhënie e filloi në vitin shkollor 1970/71 në shkollën katër klasëshe në Suharnë, ndërsa nga 1972 kalon në lagjen e vendlindjes në Litesh, për të vazhduar në Zarbicë deri më 24.03.1999. Periudhën më të gjatë të mësimdhënies e kaloi në paralelet e Liteshit, pra që nga viti 1972 deri në vitin 1990, ndërsa nga kjo kohë vazhdon në shkollën amë “Skënderbeu” në Zarbicë, deri në largimin e popullatës dhe të nxënësve nga shkolla, nga ushtarët dhe policët e Millosheviçit. Avdylin, në procesin e mësimdhënies, e karakterizonte gjithnjë pedantëria, profesionalizimi e saktësia në punë. Për këtë edhe pati rezultate në punë në vazhdimësi, përkatësisht, për tri dekada me rradhë.