Konfirmohet aktakuza për korrupsion ndaj këshilltarit të Ambasadës së Kosovës në Vjenë
Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka konfirmuar aktakuzën ndaj këshilltarit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë të Austrisë, Isa Kosumi.
Ai akuzohet se edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë sipas Ligjit nr. 04/L-050, i njëjti nuk e ka bërë një gjë të tillë brenda afatit ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.Sipas vendimit të marrë nga gjykatësja Valbonë Dërvodeli, thuhet se gjykata e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës, ngase provat e grumbulluara në këtë fazë të procedurës japin bazë të mjaftueshme për dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.
Ndryshe, më 7 maj 2021, i akuzuari Kosumi përmes mbrojtësit të tij, avokatit Selmon Sadiku ka parashtruar kërkesë në gjykatë për hudhjen e aktakuzës në fjalë.Prokuroria Themelore në Gjilan, më 15 korrik 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj Isa Kosumit, me arsyetimin se ai nga 1 e deri më 31 mars 2019, në kohë të papërcaktuar, në cilësinë e këshilltarit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë të Austrisë, edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë sipas Ligjit nr. 04/L-050 Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë, i njëjti nuk e ka bërë një gjë të tillë brenda afatit ligjor, për vitin paraprak të periudhës kohore nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2018.
Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me gjobë ose burgim deri në 3 vjet.Vepra penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, është vepër e cila hyn në kuadër të kapitullit “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. BetimipërDrejtësi Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.