Isa Mustafa: Çdo opozitë duhet të synojë të rrëzojë Qeverinë
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur për Qeverinë Kurti, për të cilën u shpreh se nuk do të thoshte se kjo qeveri është e pakorruptuar.
Sipas Mustafës, faktet flasin ndryshe, teksa përmendi ndërrimet që janë bërë në bordet e kompanive publike që sipas tij, janë krejt ndërrime politike të cilat futen në fushën e korrupsionit.
“Kanë dal probleme me pagesat që i janë dash me ju bë punëkryesve. Ka pas në media raste kur kanë kërkuar para në mënyrë që të bëjnë pagesa, dhe këto raste kanë ndodhur në qeverisjen e Kurtit”, është shprehur Mustafa në Syri, transmeton Gazeta10.
Ish-kryeministri Mustafa foli edhe për opozitën në Kosovë, ku tha se do të donte të kishte një opozitë më konkrete.
“E kam thënë edhe më parë, do të kisha pasur dëshirë të shihja një opozitë e cila është është konkrete, e cila është shumë më dinamike, më e gjallë dhe e cila nuk pret që Albin Kurti do të rrëzohet vetë apo do ta rrëzojë vetveten. Çdo opozitë duhet të synojë të rrëzojë qeverinë. Opozita ekziston në mënyrë që të kundërshtojë dhe të rrëzojë kundërshtarin”, është shprehur ai.
Ai mendon që Kurti nuk po arrin t’i mbajë premtimet që i kishte dhënë gjatë fushatës zgjedhore.
“Shoh vetëm mungesë të realizimit të premtimeve, të cilat zoti Kurti ka dhënë gjatë fushatave, por edhe më parë si parti opozitare në krye të Vetëvendosjes”, thotë Mustafa.
Mustafa vuri në pah se edhe projektet që kanë qenë aty, janë më vazhduar nga periudha e kaluar, derisa ai mendon se pushteti vazhdimisht krekoset se ka grumbulluar shumë para në Thesarin e Shtetit, por kjo për ish-kryetarin e LDK-së “nuk është meritë e kësaj qeverie”.
“Kështu shpesh deklarohet ministri i Financave në parlament, apo gjatë arsyetimit të parave, ose mburren me atë se grumbullimi parave është më i madhi seç ka qenë në periudhat e kaluara. Por në asnjë moment nuk tregojnë se grumbullimi i parave në buxhet është edhe rezultat i rritjes së çmimeve, pasi rritet edhe baza e llogaritjes së TVSH-së, baza e përllogaritjes së akcizës dhe detyrimeve të tjera edhe fiskale”, shtoi ai.
Por, kur pyetet pse nuk e pranon një rotacion politik pas 20 viteve në Kosovë, Mustafa mendon se “ky rotacion i cili ka ndodhur nuk po i bën mirë, sepse nuk po arrihet asgjë nga ajo që kanë premtuar edhe zoti Kurti në krye të Vetëvendosjes, edhe zonja Osmani, e cila iu bashkëngjit Vetëvendosjes”. “Unë nuk po shoh se ato zotime po realizohen, nuk po shoh se po bëhen ndryshime të duhura në fushën e ekonomisë dhe se kemi ndonjë politikë ekonomike e cila nxit zhvillimin ekonomik brenda, e cila e rrit punësimin, e cila rrit stabilitetin ekonomik, e cila rrit besimin e qytetarëve që të qëndrojnë në Kosovë dhe të mos ikin nga Kosova ose nuk kemi ndonjë ndryshim sa i përket shtetit ligjor, sepse gjithë ato që kritikuan në qeverisjet e kaluara sa i përket edhe familjarizmit, edhe punësimit, edhe politizimit të vendeve të punës, po ndodhin edhe sot, bile – bile edhe në mënyrë shumë më konkrete se ç’janë bërë më parë”./Gazeta10.