Ide jo e mirë tarifa 600kWh, në raste urgjente T-1000kWh, ndërsa më mirë pa tarifë

 Ide jo e mirë tarifa 600kWh, në raste urgjente T-1000kWh, ndërsa më mirë pa tarifë

Shkruan: Agron Bislimi

Me rifunksionalizimin e Bllokut B, është eliminuar nevoja apo domosdoja e blerjes së 250MWh energji, me çmim më të lartë, për të zbutur kërkesat e qytetarëve për energji elektrike. Në këtë mënyrë, është gjetur zgjidhja për zbutjen e ngarkesës maksimale gjatë stinës së dimrit.

TARIFA 600 kWh     

Me vendosjen e kësaj tarife dhe dy apo trefishimin e çmimit të rrymës, do të rriten mundësitë e keqpërdorimit të rrymës, për shkak të rritjes së numrit të atyre që nuk do ta përballojnë dot diferencën. Do të thotë, shteti që përmes aparatit të tij ka për detyrë të vendosë e të mbajë rend dhe rregull, shtyn në mënyrë indirekte qytetarët e tij të mendojnë secilën mundësi „evazioni energjetik“ në mënyrë që të përballojnë (mbi)jetesën.  

Disa ndërtesa, më saktë shumë prej tyre, për shkak të mungesës së oxhakëve, nuk kanë fare opsionin e ngrohjes me dru, e në disa të tjera ku kjo mundësi mund të ekzistojë, është pothuajse e pamundur bartja e tyre deri në katet e larta (p.sh. kati XII te Soliteri). 

TARIFA 1000 kWh     

Nëse vendosja e një tarife është kusht pa të cilin nuk mundet, atëherë më e drejtë do të ishte që ajo të jetë tarifa 1000kWh.   

Në dimër familjet që ngrohin vetëm një pjesë të shtëpisë (së izoluar), shpenzojnë mesatarisht 1500kWh, konsum i cili me një kursim dhe menaxhim të mirë mund të zvogëlohet  në  <1000kWh. Mundësia e këtij reduktimi të shpenzimit të energjisë, derisa është reale dhe e prekshme, është edhe një motiv për kursim. Dihet që ky nuk është rasti „as n’xhep as prej xhepit“. Por në rastin e mësipërm, derisa është abstrakte kursimi deri nën 600 kWh, atëherë edhe kursimi do të ishte irelevant. Si rregull, njerëzit priren të mos vrapojnë pas gjërave që nuk mund të kapin.

Edhe kjo tarifë për të cilën po flasim si për të keqen më të vogël në mes dy të këqijave të mëdha, do të duhej aplikuar pas shumë viteve, kur mundësia e përballimit të dallimit nuk do të flitej, në një shtet ku sot, në ditën kur po flasim, është në pyetje vetëm mbijetesa, e për jetesë më të mirë nuk flitet.

TARIFA 0 

Në Kosovë, ende nuk është zgjidhur problemi i papunësisë. Derisa në këtë fushë kemi vendnumëruar, përjashto këtu shifrat e fryra që dëshmojnë të kundërtën e që në praktikë nuk duket askund, në shtete normale, me të cilat ne barazohemi vetëm për kah çmimi i produkteve e tani edhe rrymës, të papunëve u sigurohen të ardhura të paktën minimale sa për të përballuar jetesën. Po flasim për standard të ulët apo mesatar të jetesës, varësisht nga shtetet dhe politikat e tyre sociale. 

Te ne, është e pamundur të paguhen tarifat e rrymës nga familjet pa të hyra, apo nga të tjerat, të hyrat e të cilave nuk tejkalojnë 100€, ose edhe nga ato të hyrat e të cilave janë 170-220€. Si pasojë, do të rritet numri i kredimarrësve, e pastaj edhe pamundësia për ti kthyer ato. 

Deri më tani, për jetesën në Kosovë asnjëherë nuk jemi përballur me çmime të tilla të produkteve bazë. Me një llogaritje të thjeshtë, dalim në përfundimin që për një jetë mesatare, një familje katër anëtarëshe shpenzon 700, deri në 1000€, duke shmangur gjithmonë luksin, apo atë që mund të duket i tillë.   Qeveria do të duhej të gjejë vetë mundësitë të paguajë ngarkesën gjatë stinës së dimrit, në mënyrë që populli mos të jetë i detyruar të përballet me ankthin e mbulimit të diçkaje që për të është e pamundur. Standardi i jetesës nuk ka lëvizur fare drejt prosperimit, përkundrazi ka shënuar rënie, ndërkohë që kemi një tarifë plus që duhet ta paguajmë, e që praktikisht nuk kemi mundësia ta paguajmë, rrjedhimisht, qytetari kërkon secilën metodë e mënyrë për të përballuar të gjitha ato për të cilat është i detyruar. 

Të ngjajshme