I pari në Europë e i katërti në botë, i riu Shqiptar që këndon Kur’anin
Intervista e Egzon Ibrahimit për “Abc e pasdites”.
Egzon Ibrahimi është një i ri i cili është një lexues dhe këndues i mirënjohur Kuranit. Këngët e tij me tematika fetare numërojnë me mijëra klikime, dhe ai është kthyer në të preferuarin e besimtarëve jo vetëm në Shqipëri, por njohja e tij ka kaluar edhe trojet. Egzoni tregon për pjesëmarrjet e tij në arenat ndërkombëtare, ku është vlerësuar me çmimet më të larta për lexim dhe këndim të librit të shenjtë.
Në studion e ’Abc e Pasdites’ ai ka treguar për teleshikuesit edhe për çmimet e tij të shumta:
“Në Evropë kam dalë i pari dhe në botë i katërti. Është ndjenjë e papërshkruar të vlerësohesh nga mësuesit. Kam pasur qëllimet dhe parimet e mia në jetë dhe asnjëherë nuk jam ndalur. Për me arrit një njeri çfarëdo në jetë duhet me pas besim në veten e tij. Kam pas dëshirë që Medresesë sime t’i kthejë vendet e para.”
Por ndonëse është më i vlerësuari në fushën e tij, Egzoni është përballur me kritika nga besimtarë të ndryshëm shqiptarë, të cilët i kanë bërë vërejtje pasi këndon me muzikë. “Unë kam pasur kritika nga vëllezërit, pse këndon me muzikë. Muzika është e ndaluar thonë ata. T’i thua artit e ndaluar? Kjo më ka motivuar më shumë. Kjo temë nuk është diskutuar as në Egjipt, as në Pakistan. Pse duhet të diskutohet në Kosovë kjo temë?”
I pyet nga moderatori mbi qëndrimin e tij kundrejt përdhosjes apo keqpërdorimit të fjalës së shenjtë, Egzoni shprehu: “Sot në emër të fesë mund të flas kushdo. Më dhembin këto momente. Islami fillon me paqe dhe mbaron me paqe. Dhuna nuk ka të bëj me fenë islame, as me ndonjë fe tjetër.”
Sukseset e Egzonit nuk kanë të mbaruar. Ai zbuloi ekskluzivisht për ‘Abc e Pasdites’, pjesëmarrjen e tij në një nga kompeticionet më të rëndësishme me tematika islame, i zhvilluar në Turqi. Një format shoë, ku ai ka arritur të vlerësohet maksimalisht por pa zbuluar detaje të tjera. Pyetjes nëse ai do e linte Shqipërinë për të vijuar kompeticionin në Stamboll, Egzoni u përgjigj: “Zemra ime është e lidhur me shqiptarinë. Unë jam shkolluar për shqiptari. Kam udhëtuar mijëra kilometra në vit për me kontribuar në vendin tim. Të them të drejtën nuk kam dëshirë të largohem këtu. Nuk është gjithçka për mua fama dhe kontrata.”