Hurdhat janë karakteristikë e lumit Morava
Dhjetra lugje e përrenj në teritorin e Pogragjës, nga të dyja anët, derdhen në lumin Morava, ndër ta edhe Përroi i Hurdhës.
Ky përrua është njëri ndër përrenjët më të gjatë dhe më vërshues të Pogragjës. Buron nga malet dhe arat e fshatit Bilinicë. Rjedh ndërmjet dy kodrave, Podit dhe Kodërgatit. Kalon përballë shkollës së fshatit, rreth Livadheve të Priftit, mespërmes arave të Jarugës deri te derdhja në lumin Morava.
Ky përrua ka një emër karakteristik e të veçantë.
Për të kuptuar më mirë këtë emërtim të vjetër të këtij përroi, duhet një përshkrim i hollësishëm dhe një lexim i vëmendëshëm.
Së pari të shpjegojmë dy fjalë që shpesh, gjatë shqiptimit na duken të njëjta. Por në realitet këto dy fjalë janë të ndryshme. Kuptimin dallues e marrin kur bashkëtingëlloret (dh) dhe (r), që janë pranë njëra-tjetrës, i ndërrojnë vendet brenda trupit të këtyre fjalëve.
Këto dy fjalë janë: “Hudhra” dhe “Hurdha” (hu/dh/ra dhe hu/r/dha)
Me njërën prej tyre, konkretisht, me fjalën “Hurdha” është emërtuar ky përrua.
Sipas, FGjSSh, hudhra (dial. hudra), emër i gjinisë femërore; bimë e kultivuar, ushqyese e mjekësore, me kërcell të hollë e me gjethe si të preshit, me thelpinj djegës…
Ndërkaq fjala, hurdhë – hurdha, po ashtu emër i gjinisë femërore ka një kuptim krejtësisht tjetër.
Hurdha – (po ashtu sipas fjalorit) – pellg me ujë të ndenjur, vend i thellë në rrjedhën e një lumi a përroi, vend a hapësirë e thurrur rreth e rrotull.
Pra, Përroi i Hurdhës e ka marrë emrin nga hurdhat që janë krijuar në këtë përrua.
Edhe në vendet më të thella, në shtratin e lumit Morava, krijoheshin hurdha të shumta, të rrethuara me shelgje e gjelbërim që e zbukuronin ambientin përreth lumit.
Në pranverë, kur zakonisht vërshonte Përroi i Hurdhës, në arat e Jarugës, krijonte hurdha të shumta që mbusheshin me ujë të ndenjur të cilat qëndronin të tilla gjer në thatësirat e verës.
Shpesh, për t`u mbrojtur nga vëshimet, krijoheshin hurdha artificiale. Bilinicasit, në arat e tyre të pjerrëta, për t’i mbrojtur ato nga vërshimet, krijonin kanale kulluese që i thurrnin nga ana e poshtme, në formë hurdhash.
Gjithashtu, vende-vende në shtratin e përroit, tërthorazi nguleshin hunj që pastaj thurreshin në formë gardhi dhe krijonin pengesa për materiale inerte.
Shpesh, këto vende thelloheshin dhe mbusheshin me ujë dhe për rreth tyre shtresoheshin materiale inerte e gurë të ndryshëm që mbuloheshin me bimësi dhe krijonin hurdha natyrale, pamje mjaft të bukura.
Duke u impresionuar nga këto pamje të bukura të hurdhave natyrale, njerëzit në shumë vende të botës krijuan hurdha artificiale me të cilat i zbukuruan kopshtet e shtëpive, të restoranteve e parqeve të ndryshme të cilat i japin pamje të mrekullueshme atyre.
Një hurdhë tipike u krijua, vitin e kaluar, nga të rinjtë e Pogragjës në shtratin e lumit të Llapushnicës.
Së pari u thellua dhe u zgjerua shtrati i lumit. Kjo gropë mbushet me ujë nga rrjedha e lumit. Kjo hurdhë (bazen) e rrethuar me gjelbërim përreth, përveç që shërben për t`u freskuar, krijon edhe një pamje atraktive.
Përfundojmë se toponimi Përroi i Hurdhës është një ndër toponimet më të vjetra, më të veçanta dhe më karakteristike dhe jo vetëm për Pogragjasit. (Literaturë: Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, I. K.: “Pas dite kishte rënë shi dhe në rrugët e parkut kishte hurdha të vogla me ujë”.)