Historik i shkurtër ishkollës fillore të Novosellës së Epërme

 Historik i shkurtër ishkollës fillore të Novosellës së Epërme

Shkolla fillore në Novosellë daton që nga ditët e para të pas Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht, puna edukativo-arsimore, nisi në një shtëpi të braktisur në lagjen e Rexhajve, pa pasur kurrfarë kushtesh elementare për mësim të mirëfilltë, sipas rregullave pedagogjike. Me që mungonin ulëse dhe banka, nxënësit merrnin me vete, nga një ulëse me tre kunja-shkamë, nga shtëpitë e tyre dhe ndonjë copë letër të rastësishme, për të mësuar shkronjat e bukura shqipe. Kësaj shkolle, mjerisht, i mungonte edhe tabela për shkrim, dhe në vend të saj, mësuesi përdorte muret, mbi të cilat shkruante me thëngjij të shuar nga zjarri. Ja pra si filloi punën, arsimdashësi i parë llaz Selimi. I motivuar nga dëshira e madhe që të hedhë dritë mbi errësirën shekullore, mësuesi Ilaz, edhe pse nuk kishte përgatitje adekuate për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, ai grumbulloi rreth vetes nxënës entuziast moshave dhe të të dy gjinive, në të njëjtën klasë. Pas disa muajsh, për të vazhduar punën e shenjtë, vjen mësuesi Durak Ramizi nga fshati Gjergjec, i cili, edhe ky punoi, po në kushte të njëjta, të pa volitshme. Në shtator të vitit 1948 në Muhoc të Bujanocit, kishte filluar ndërtimi i Kooperativës për grumbullim e prodhimeve bujqësore, për rimëkëmbjen e ish shtetit Jugosllav, dhe kërkohej fuqi punëtore nga të gjitha fshatrat e kësaj malësie, pra edhe të fshatit Novosellë. Këshilli i Fshatit me në krye Avdi Jakupi morën vendim, që ne vend se të dërgonin fuqi punëtore në Muhoc për ndërtimin e nje gendre grumbulluese të prodhimeve bujqësore, që i dedikohel rimëkëmbjes së pushtetit dhe ushtrisë së pas luftës të Jugosllavisë komuniste, të fillojnë ndërtimin e shkollës së re në fshat. Falë mjeshtërve; Hasan dhe Veli Jakupi, dhe punës vullnetare të fshatarëve arrihet që në një afat optimal të përgatisin një mësonjëtore dhe një zyre, gjithnjë të kërcënuar nga pushtetarët se do t’i burgosin organizatoret për iniciativa të tilla. Megjithatë, ia dolën, dhe realizuan dëshirën për të pasur një objekt të ri shkollor, ku fatosat do mësonin shkrim dhe lexim. Mësuesi i radhës vjen nga Presheva, Ejup Bajrami, i cili punoi si mësues disa vite me radhë, me pas mësuesi Dylaver po nga Presheva, me një përgatitje paksa me të avancuar shkollore, i cili edhe qëndroi, një kohë, në krye të këtij institucioni të shenjtë edukativo mësimor. U jemi mirënjohës për jetë, për punën dhe sakrificën që bën, në kushte të rënda jetese e pune. Atyre, strehim dhe ushqim, u siguroheshin nga fshatarët e zellshëm dhe të devotshëm, të cilët ishin të etur për dije dhe mësim e për një jetë më të mirë. Mësues të tjerë në fshatin tonë ishin: Ismet Aliu (Muhoc), Sabit Haliti (Muhoc), Ferat Ademi (Muhoc), Ali Azemi (Muhoc), Xhavit Haliti (Muhoc), Ismajl Limani (Zarbicë), Jakup Jakupi (Novosellë e Epërme), Malush Hyseni (Priboc), Haki Haliti (Ramabuqë), Latif Latifi (Ramabuqë), Habib Begzadi (Turi), Ejup Rexhepi (Novosellë e Epërme), Dali Tahiri ( Suharnë), Muharrem Sadriu (Novosellë e Epërme), Asllan Rexhepi (Novosellë e Epërme), Zenel Rexhepi (Novosellë e Epërme), Selami Jakupi (Novosellë e Epërme), Shaip Sherifi (Suharnë), Sefer Jakupi (Novosellë e Epërme), Ismet Islami (Suharnë), Selim Jakupi, (Novosellë e Epërme), Sabri Azemi, (Priboc), Nuhi Ramadani (Novosellë e Epërme), Lazim Ramadani (Novosellë e Epërme), Shaban Rexhepi (Priboc), Vehbi Emini (Priboc), Mustafa Mustafa etj.

me

Të ngjajshme