Historia e gruas me tre emra: Miradije, Nurije dhe Miroslavka

 Historia e gruas me tre emra: Miradije, Nurije dhe Miroslavka

Në varrezat e qytetit në Gjilan, në vitin 2006 ishin ri-varrosur tre anëtarë të familjes Xhaferi, Ramizi (1929), Miradija (1943) dhe Safeti (1981), djali i tyre, të cilët ishin vrarë gjatë luftës nga forcat serbe në Kishinicë, por konsideroheshin persona të zhdukur, sepse nuk ishin gjetur trupat.

Historia e kësaj familje, veçmas e Miradijes, e cila njihej me tre emra, është e jashtëzakonshme, shkruan Mediafokus.info

Ceremonia e rivarrimit ishte udhëheq nga TMK-ja, ku pos familjarëve të tyre në Gjilan dhe Ramjan të Vitisë, merrnin pjesë edhe përfaqësues komunalë, pastaj nga Zyra për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Kosovës, nga Bashkësia Islame dhe qytetarë të shumtë.

Tre trupat e pa jetë të Ramiz Xhaferit, bashkëshortes së tij Miradijes dhe djalit të tyre, Safetit ishin zbuluar nga disa barinj të fshatit Kishnicë, më 16 prill 2004, por procedura e identifikimit kishte zgjatur gati dy vjet.

Bashkëvendësit e tyre në Kishnicë, ku familja Xhaferi ishte vendosur pak kohë para luftës, pasi ishin shpërngulur së fundi nga Gjilani, pas ecejakeve në Mlladenoc dhe Prizren, thonë se ata ishin eliminuar nga forcat serbe më 28 mars 1999.

Dëshmitarët thonë se Ramizi, Miradija (e identifikuar në letërnjoftim si Miroslavka, e lindur në Vranjë) dhe Safeti ishin ekzekutuar nga krimineli i njohur me nofkën “Mila”.

Bashkëvendësit thonë se Xhaferët ishin fqinjë shumë të mirë.

Në emër të lagjes “Minatori” në Kishnicë, ku kishte jetuar kjo familje, fqinji Fatmir Gashi i kujtoi ata si njerëz të respektuar.

Në emër të familjes, ishte falënderuar Hajriz Thaçi.

Disa minuta pasi kishte përfunduar varrimi, në Gjilan kishte mbërritur Bekim Mehmeti, djali i Miradijes nga martesa e parë, i cili ka treguar se nëna e tij (e identifikuar në letërnjoftim si Miroslavka) ka qenë shqiptare, me origjinë nga Gjilani.

Bekimi, i cili ishte njoftuar nga gazetat për rastin, ka rrëfyer një pjesë të dhimbshme të historisë së nanës së tij, të cilin ai e njihte me emrin Nurije.

Sipas Bekimit, Nurija ka qenë e martuar më parë me Rexhep Mehmetin nga Presheva, me të cilin i ka pesë fëmijë, që tani jetojnë në Ferizaj.

Prindërit e saj ishin shpërngulur nga Gjilani në Vranjë, shkaku i një vrasje të paqëllimtë që i kishte ndodhur Ramadanit (babait të Miradijes) në gjueti.

Nën presion, Ramadani është detyruar ta ndërrojë emrin e tij dhe të familjarëve, në Vranjë.

Rasti i Miradije Xhaferit, e njohur nga fëmijët e saj edhe me emrin Nurije dhe Miroslavka, është një rrëfim në vete që të rrëqeth trupin.

Bekimi kishte thënë atëherë se është duke përgatitur një skenar filmi për nënën e tij dhe fatin e saj shqiptar.

‘Nurija ka qenë shqiptare dhe ajo është martuar me shqiptarë. Shqip ka folur’, kishte thënë Bekim Mehmeti, para se të drejtohej për në varrezat e qytetit, për nderime.

Nuk dihet nëse Bekimi e ka realizuar filmin apo jo, por tani atë është duke e kërkuar një person që ka ndërlidhje miqësie me këtë familje.

Hafiz Sejdiu nga Ferizaj, me punë jashtë vendit, ka kërkuar ndihmën tonë për ta vënë në kontakt me Bekimin, pasi nuk po arrin ta gjejë. Ata i lidh kjo histori që sapo lexuat. /Mediafokus.info

Të ngjajshme