Haziri në Gjilan: 𝗟𝗗𝗞 𝗱𝗼 𝘁ë 𝗷𝗲𝘁ë 𝗼𝗽𝗼𝘇𝗶𝘁ë 𝗮𝗴𝗿𝗲𝘀𝗶𝘃𝗲 𝗲 𝗸ë𝘁𝗶𝗷 𝗽𝘂𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti do të jetë opozitë agresive e këtij pushteti që projektet e kësaj komune po i konsideron si të huaja.
Ai në një konferencë për media ka deklaruar se zhvillimet në Komunën e Gjilanit kanë qenë të befasishme, por gjithashtu edhe të pritshme nga ana tyre.
“Kjo për shkak se koalicioni i ndërtuar VV-PDK në Gjilan, nuk ishte ndërtuar në bazë të një programi për Gjilanin e zhvilluar, por për interesa personale e partiake.Dalja e PDK-së nga koalicioni dhe deklaratat e tyre pas daljes nga ky koalicion, tregojnëse mundësia për të bashkëpunuar me të parin e ekzekutivit për të mirën e përbashkët publike,
ka qenë minimale apo s’ka ekzistuar fare.Edhe njëherë para jush, konfirmoj qëndrimin e LDK-së se jemi opozitarë deri në fund të këtij mandati, duke mos shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje me partinë në pushtet. LDK do të jetë opozitë agresive e këtij pushteti që projektet tona po i konsideron si të huaja”, ka deklaruar Haziri.
Ai tha se 14 këshilltarët e tyre pasqyrojnë shumicën e qytetarëve në Kuvendin Komunal, dhe presim që ky besim qytetar të respektohet nga Kryesuesi i Kuvendit, duke liruar pozitën e të parit të Kuvendit që sipas tij, me legjitimitet i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Në të kundërtën, LDK gjatë javës së ardhshme do të fillojë me procedurat e nevojshme për marrjen e mandatit që i takon, në koordinim me partnerët tanë opozitarë dhe partinë e sapo dalur në opozitë. Gatishmëria jonë për të kontribuar në një bashkëpunim që do të sjelltë politika të mira e zhvillimore për komunën nuk ka munguar asnjëherë, por gjithmonë në bazë të parimeve të demokracisë, ligjshmërisë dhe politikave të duhura për qytetarët”, ka thënë ai.