Gazetarja e KALLXO.com fiton çmimin për web storjen e vitit

 Gazetarja e KALLXO.com fiton çmimin për web storjen e vitit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka organizuar ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Vjetore të Gazetarisë dhe shënimin e 20-vjetorit të themelimit të AGK-së.

Në këtë ceremoni gazetarja e KALLXO.com, Adelina Ahmeti ka fituar çmimin për kategorinë web Storja e vitit.

Web Storja ku Ahmeti doli fituese mban titullin “Dyshime se Kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesional (seri e raportimeve)”.

Gazetarja Adelina Ahmeti tha se jo vetëm kryeprokurori Buzhala por çdo njeri që ka raportuar në Kallxo.com e kanë trajtuar me seriozitet.

“Rasti Buzhalës tregon qysh në shumë institucione të shtetit hyhet ose punohet me famimjarizëm e shumë njerëzve të tjerë nuk u mundësohet të punojnë me merita”, tha ajo duke shtuar se ky çmim duhet të jetë vetëdijesim për KPK-në.

Më 13 korrik të këtij viti kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala dërgoi pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë në numrin e gazetares Adelina Ahmeti.

“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”, kështu fillon një mesazh i cili i është dërguar ekipit të KALLXO.com në orën 11:25 gjatë 13 korrikut.

Tutje ky mesazh i dërguar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala në numrin e gazetares së KALLXO.com, autores së këtij artikulli, vazhdonte tutje me përmbajtjen: “Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”. 

Kryeprokurori Buzhala i drejtohet dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”. 

KALLXO.com mëson së pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë, test i cili është mbajtur gjatë ditës së sotme brënda objektit të ish-Rilindjes, ku është edhe Ministria e Drejtësisë.

Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se ka kohë deri në orën 13:00, tutje ai vazhdon të thërras në telefon ndërsa kur përgjigjet ekipi i KALLXO.com, ai nis arsyetimin.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është diçka…”, nis bisedën kryeprokurori Buzhala, derisa nuk përgjigjet se nga kush i ka marrë këto pyetje?

Një ditë pasi KALLXO.com publikoi videon në të cilën Buzhala dyshohet se shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) mori vendimin për suspendimin e Buzhalës nga puna.

Këshilli Prokurorial ka bërë me dije se ky konkurs do anulohet në tërësi dhe do kthehet në pikën zero.

Më 14 korrik, Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala është suspenduar nga puna.

Vendimi për suspendimin e tij, është marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Kategoritë e tjera në kuadër të kësaj ceremonie ishin: Gazetari i vitit, çmimin e mori Saranda Ramaj nga grupi KOHA, TV Storja më e mirë e vitit, çmimin e mori Qëndresa Tërshani nga Klan Kosova, Kameramani më i mirë i vitit, çmimin e mori Korab Basha dhe Burim mjeku nga portali Telegrafi, çmimi i gazetarisë për fuqizimin e gruas, çmimin e morën  Riola Morina dhe Medinë Dauti, Storja më e mirë nga sporti, çmimin e mori Dardan Idrizi nga RTV Dukagjini./kallxo.com/

Të ngjajshme