Edukatori i brezave të tërë

 Edukatori i brezave të tërë

Në këtë kohë kur arsimi shqip në Kosovë po mbijeton dhunën më të egër të okupatorit, gjithsesi se ka vend të përkujtohen shumë prej veteranëve e veprimtarëve të tjerë të arsimit e deri tek ata që edhe sot flijohen në mënyra të ndryshme për shkollën shqipe.

Faik Syla (1939-1984), nga Bresalci i Gjilanit, është një gur në kështjellen e madhe të arsimit shqip në Kosovë. Kreu shkollën fillore në Bresalc, Normalën në Prishtinë (1958), shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë (1969) dhe Fakuletin Filozofik – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe – gjithashtu në Prishtinë (1975). Pas mbarimit të normalës, Faik Syla një vit punoi mësues në fshatin e tij të lindjes në Bresalc dhe 7 vjet në shkollën fillore “Musa Zajmi” në Gjilan. Në konviktin e nxënësve dhe të studentëve “Trajko Periq” në Gjilan punoi 14 vjet si edukator kryesor, deri më 1982. Në vitin shkollor 1983/84 punoi profesor i gjuhës Shqipe në gjimnazin e Gjilanit dhe këtu edhe e gjeti vdekja, ndonëse në moshë të re.

Hoqi shumë gjatë shkolimit në të gjitha nivelet. Faiku që betuar dhe punoi për edukimin sa më të mirë të brezave të rinj. Ai jetoi për arsimin shqip. Për të tillë e njohin të gjithë ata që punuan a bashkëpunuan me të. Punoi me shumë vullnet edhe me ditar në dorë, por edhe gjatë kohës sa ishte edukator kryesor në konviktin e vetëm të nxënësve dhe të studentëve në Gjilan.

Dhe, të gjithë e kujtojnë sot, si dje: të afërt, të vyeshëm, të urtë, të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka për arsimin shqip. I tillë Faik Syla mbeti deri në vdekje, prandaj kujtimi për të për gjilanasit është edhe mburrje: ai ishte dhe mbeti edukator i brezave të tërë. /zerogjasht.com/

T.SELIMI / E HËNË, 8 KORRIK 1996

Të ngjajshme