Dick Marty: S’kam gisht në arrestimin e Thaçit

 Dick Marty: S’kam gisht në arrestimin e Thaçit

Ish-raportuesi zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty, ka thënë se s’ka pasur gisht në arrestimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Gjykata Speciale. Duke komentuar deklaratën e dhënë para disa ditësh me të cilën njoftoi se është nën mbrojtje policore qe gati një vit e gjysmë për shkak të kërcënimit nga shërbimi sekret serb, Marty ka thënë se ka heshtur deri tash “për shkak të respektimit të autoriteteve”.

Në një intervistë për radion “RSI”, Marty ka kritikuar shtetin zviceran.

“Këshilli Federal më ka intervistuar dy herë; mungesa e strategjisë për ta neutralizuar kërcënimin ndaj meje është për shkak të arsyeve politike, që i konsiderojnë më të rëndësishme se sundimi i ligjit. Berna nuk dëshiron të ketë probleme politike me askënd”, ka thënë ai. “Sigurisht që ne nuk duam të shtojmë tensione në mes të Serbisë dhe Kosovës”.

Ditë më parë televizioni publik zviceran raportoi se shërbimi sekret i Zvicrës pati njoftuar në dhjetor të 2020-s Martyn se shërbimi sekret serb po synon vrasjen e tij e t’ua lë fajin kosovarëve.

Marty nuk është figurë e pëlqyer nga shqiptarët për shkak të pretendimeve të tij në raportin e Këshillit të Evropës, me të cilin akuzoheshin krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh. Bazuar në të u ngrit edhe Gjykata Speciale që po i akuzon krerët e UÇK-së për krime lufte. Ndër ta është edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, për arrestimin e të cilit, Marty ka thënë se s’ka faj.

“Për shumë arsye mediat shqiptare nisën të më bënin cak dhe madje edhe në Parlament pati gjuhë të urrejtjes, edhe pse s’kisha të bëja asgjë me arrestimin”, ka thënë ai.

Të ngjajshme