Besim Kelmendi caktohet ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e 214-të, të enjten, me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.
Këtë detyrë, Kelmendi do ta ushtrojë deri në një vendim të ri të KPK-së.
Sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, në qoftë se mandati i Kryeprokurorit të prokurorisë përkatëse ka përfunduar në çfarëdo mënyre, KPK-ja merr vendim për caktimin e ushtruesit të detyrës.
Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) votoi unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.
Aleksandër Lumezi sot (21 prill) përfundon mandatin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë të cilën e kishte marrë më 21 prill 2015.