Alban Hyseni synon ta ruajë shumicën në Kuvendin Komunal duke e përçarë PDK-në në Gjilan

 Alban Hyseni synon ta ruajë shumicën në Kuvendin Komunal duke e përçarë PDK-në në Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, më 31 maj të këtij viti i dha fund koalicionit me PDK-në në Gjilan. Këtë akt e kishte zyrtarizuar në faqen e tij zyrtare në facebook.

Pas këtij vendimi, Alban Hyseni e ka humbur shumicën në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Burimet e Demokracia.com kanë thënë se se opozita është bërë gati për ta shkarkuar kryesuesin e Kuvendit Komunal i cili vjen nga radhët e Vetëvendosjes. Sot ishte thirrur mbledhja për shkarkimin e Arianit Sadikut, por që siç mëson Demokracia.com kjo mbledhje është shtyrë për ditën e enjte.

Duarkryq nuk po qëndron kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni. Ai është duke llogaritur në përçarjen e PDK-së në Gjilan.

PDK gjatë bashkëqeverisjes në Gjilan, kishte katër drejtori dhe nënkryetaren e Komunës së Gjilanit. Pavarësisht se LVV dhe PDK i kanë ndarë rrugët në Gjilan, Alban Hyseni duket se nuk e ka nënshkruar shkarkimin për dy drejtorë të PDK-së; Enver Shabanin i cili e ka udhëhequr Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Bajram Isufin, i cili e ka udhëhequr Drejtorinë e Bujqësisë. Po ashtu, dokumentin e shkarkimit nuk e ka firmosur as për nënkryetaren e Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku.

Alban Hyseni pas prishjes së koalicionit e ka shkarkuar U.D të kryetarit të PDK-së në Gjilan, i cili njëherësh ishte edhe drejtor i Financave, Riad Rashitin dhe Drejtoreshën e Shëndetësisë, Aurora Osmanin. Përderisa, drejtori i Zhvillimit Ekonomik Enver Shabani edhe pas prishjes së koalicionit me datë 31 maj ka vazhduar ta ushtrojë funksionin e tij. Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, ai shihet në një aktivitet komunal të datës 13 qershor.

Burimet tona kanë treguar që edhe nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku dhe drejtori i Bujqësisë, Bajram Isufi, janë duke e shqyrtuar seriozisht rikthimin në këto pozita.

PDK në Kuvendin Komunal të Gjilanit i ka 5 asamblistë. Alban Hyseni është duke provuar t’i përçajë, pas poshtërimit që ua bëri me zyrtarizimin e prishjes së koalicionit.

Demokracia.com po ashtu mëson se Grupi i Këshilltarëve Komunal nga radhët e PDK-së është unik, me tendencë të luhatjes së njërës asambliste. Gjatë mbledhjes së kryesisë së PDK-së në Gjilan, shumica dërrmuese kanë qenë për mos vazhdimin e koalicionit me LVV-në në Gjilan. Të njëjtin mendim e ka pasur edhe niveli qendror i PDK-së, pas një mbledhje të mbajtur para pak ditësh.

“Alban Hyseni ka menduar që një pjesë të asamblistëve të PDK-së t’i rikthejë nga ana e tij edhe me ndihmën e drejtorëve të lartcekur e nënkryetares së Gjilanit, ose duke lobuar direkt për të, ose duke e ndjekur ndonjë asamblist ndonjërin prej drejtorëve pas rikthimit të tyre në pozitat udhëheqëse. Por këtë gjë duket se nuk ia ka arritur”, ka thënë burimet për Demokracia.com.

Po ashtu bëhet e ditur se niveli qendror i PDK-së nuk e ka pritur aspak mirë luhatjen e drejtorëve dhe nënkryetares së Gjilanit, kjo edhe për faktin se Alban Hyseni e ka etiketuar rëndë PDK-në gjatë prishjes së koalicionit, por që edhe nga matjet e ndryshme të opinionit publik rezulton se qytetarët e Gjilanit nuk janë të kënaqur më punën e Hysenit. /Demokracia.com/

Të ngjajshme