Alban Hyseni: Negociatat për lidhjen e një marrëveshjeje të bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës kanë ngecur

 Alban Hyseni: Negociatat për lidhjen e një marrëveshjeje të bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës kanë ngecur

Alban Hyseni ka shprehur bindjen e tij se të premten, kur është caktuar seanca e radhës e Kuvendit Komunal në Gjilan, do të zgjidhet kryesuesi i asamblesë.

Kryetari i Gjilanit, i tha mediumit online Paparaci të mërkurën se negociatat për lidhjen e një marrëveshjeje të bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës kanë ngecur.

Sipas tij, marrëveshja nuk është arritur ende.

Megjithatë, ai ka refuzuar të shpalos detaje nga negociatat për krijimin e koalicionit që do ta qeveriste Komunën e Gjilanit për një mandat katër vjeçar.

“Nuk jemi marrë vesh ende. Ende nuk kemi marrëveshje, mirëpo më vjen keq por nuk mund të zbuloj detaje nga negociatat”, tha Hyseni për Paparacin. “Besoj që do të zgjidhet të premten [Kryesuesi i Kuvendit Komunal]“.

Në lidhje me rrezikun e shpërbërjes së Kuvendit Komunal, në rast të dështimit të zgjedhjes së kryesuesit të asamblesë në afatin e fundit të paraparë me ligj, që është e premtja e 7 janarit, Hyseni u shpreh: “Ajo, pastaj është pasojë që rrjedh nga marrëveshja”.

Rijad Rashiti, ushtrues detyre i kryetarit të Degës së PDK-së në Gjilan, tha të martën për Paparacin se negociatat mes dy palëve janë bllokuar për shkak të mungesës së ujdisë lidhur me ndarjen e drejtorive dhe pozitave të nënkryetarit e kryesuesit të asamblesë.

Ai, tha se PDK-ja është në kërkim të katër pozitave udhëheqëse, propozim i cili është kundërshtuar nga LVV-ja.

Shefi i ri i Komunës së Gjilanit e ka thirrur sot seancën për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal për të premten e 7 janarit. Seanca që ishte planifikuar të mbahej sot, është shtyrë me vendim të kryetarit të komunës. /Paparaci.com/

Të ngjajshme