Abazoviç – Kryeministri i tretë shqiptar
Patriotizmi te popujt e ndryshëm në botë kohë pas kohë ka ngritur dhe ndërtuar shoqëri më të ndërlidhura mes vete, por edhe ka arritur ta orientojë atë drejt sukseseve krahas popujve tjerë që nuk kanë pasur fatin të jenë më bashkëpunues dhe të kenë lidhje emocionale dhe shpirtërore me vendin e tyre.
Popujt ballkanik kanë pasur një histori më ndryshe nga të tjerët, e veçmas populli shqiptar.
Shqiptarët kanë pasur sfida nga më të ndryshmet. Kanë qenë evidente edhe mos organizimet e mirëfillta mes shqiptarëve në vendet ku jetojnë, sidomos atyre ballkanike, e që më pas të shtojnë edhe influencën në rajon dhe më gjerë.
Por, sot kemi një situatë më ndryshe. Kemi tri shtete që prijësit e qeverive janë shqiptarë, tri vende me kufij të përbashkët dhe nëse suksesi është i prekshëm nga qytetarët e këtyre vendeve patjetër se në të ardhmen e afërt pritet të kemi edhe në Maqedoninë e Veriut një Kryeministër Shqiptar ose një President.
Ky ndryshim në qeverisjen e Malit të Zi mund të themi se ka qenë hapi i parë drejt “thyerje tabu” se nuk është e mundur një gjë e tillë.
Njëjtë ka qenë rasti edhe me Presidentin Amerikan Obama. Ka qenë e papritur dhe e paimagjinuar deri sa kishte ndodhur.
Prandaj, mund t’a quajmë lajm pozitiv që një shqiptar udhëheq me një shtet fqinj, po ashtu duhet t’i gëzohemi sukseseve që mund të arrijë, pasiqë me angazhimin e tij maksimal dhe me ndihmën e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të tejkalojë me sukses liderët që ishin para tij, pa u fokusuar vetëm në problemet e një etnie, por të jetë i barabartë me të gjithë qytetarët, të rrisë mirëqenien e tyre dhe të afrojë edhe më shumë vendin me perëndimin.
Suksesi për kryeministrin shqiptar në Mal të Zi nuk do të jetë sfidë vetëm se për personalitetin e Abazoviç, por do të jetë sfida e radhës edhe për Kosovën dhe Shqipërinë, pasi që ndihma e të dyja vendeve ndaj kryeministrit Abazoviç do ta paraqesë një pasqyrë më të mirë dhe reale se shqiptarët dinë dhe ia dalin kur e kanë shansin dhe “vullnetin”.
Dështimi i tij në qeverisjen e ardhshme të Malit të Zi do të ketë influencë edhe në Maqedoninë e Veriut, sepse kjo do të paraqiste një pasqyrë dhe do të shërbente si alibi para qytetarëve në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut kinse shqiptarët shkatërrojnë gjithçka nëse u lihet në dorë.
Gjithashtu një dështim apo mos sukses do të shtyjë pritjet që një lider shqiptar në të ardhmen të menaxhojë me këtë vend edhe për një kohë.
Sukses Kryeministër Dritan Abazoviç! Autor: Msc. Skender Berisha