15 punëtorë 𝘃𝗱𝗶𝗾ë𝗻 𝗻ë 𝘃𝗲𝗻𝗱𝗶𝗻 𝗲 𝗽𝘂𝗻ë𝘀 gjatë vitit të kaluar, sfidë numri i vogël i inspektorëve
Gjatë vitit 2022 në vendet e tyre të punës kanë vdekur 15 punëtorë. Sektori i ndërtimtarisë mbetet më i rrezikshmi, përderisa inspektimi i të gjitha vendpunishteve është i pamundur për shkak të numrit të kufizuar të inspektorëve të punës.
Aktualisht, vetëm 37 inspektorë të punës janë në dispozicion të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve.
Kreu i Inspektoriatit të Punës, Hekuran Nikçi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se pjesa më e madhe e vdekjeve ndodhin në sektorin e ndërtimtarisë. Si pasojë e kësaj, IP ka arritur që ta shtojë numrin e inspektimeve në terren. Ndërsa për gjobat e shqiptuara nga ky institucion, janë 359 sosh.
“Ky raport konstaton që për vitin 2022 kemi pasur 15 vdekje në vendin e punës, pjesa dërmuese e këtyre vdekjeve ndodhë në sektorin e ndërtimit, pra ky është një sektor më problematikë që ne si Inspektorat i Punës hasim. Pjesa tjetër mund të ju njoftoj që përgjatë vitit 2022 sidomos në 6 mujorit të dytë të viti 2022 kemi rritur numrin e inspektimeve dhe si rezultat kemi arritur tragetin e vendosur me ‘ERA’, i cili ka qenë 6 mijë ne e kemi tejkaluar këtë numër dhe kemi arritur 6032 inspektime. Gjoba të shqiptuara për vitin 2022 kemi pasur 359 gjoba”, tha Nikçi, teksa shtoi se gjobat e shqiptuara janë për sektorin e ndërtimtarisë.
“Numri i këtyre gjobave është shqiptuar kryesisht në sektorin e ndërtimit, pasi që ky është sektori ku ligji për siguri dhe shëndet në punë, por edhe ligji i punës gjejnë apo hasin shkelje më shumë. Shkaqet e vdekjeve janë siguri në punë, punëtorët të cilët kanë vdekur në vend punishtet e ndërtimit kryesisht janë sepse nuk janë të pajisur me mjete mbrojtëse në vendin e punës së tyre”, u shpreh Nikçi.
Nikçi ka folur edhe për të hyrat që kanë pasur gjatë vitit të kaluar. Sipas tij, të hyrat totale për vitin 2022 janë më shumë se 581 mijë euro.
“Gjatë viti 2022 Inspektorati i Punës kryesisht në periudhën e dyte të vitit 2022 ka arritur disa sukses, përgjatë kësaj periudhe ne kemi realizuar 14 aktivitete të prokurimit të cilat kanë pasur për qëllim ngritjen e kapaciteteve të punës të punëtoreve të Inspektoratit të punës duke filluar me renovimin e zyrave, pajisen me teknologji informative. Gjithashtu gjatë vitit 2022 kemi pasur rritje të të hyrave dhe mund të ju them se të hyrat totale për vitin 2022 janë 581 mijë e 367.85 euro ku prej tyre në periudhën janar-maj 2022 të hyrat kanë qenë 174 mijë e 357.89 euro”, tha ai.
Sfidë për këtë institucion, mbetet numri i vogël i inspektorëve, ku në total janë vetëm 37 sosh. Nikçi shpreson që ky numër të rritet, teksa thotë se janë në procedura të rekrutimit.
“Sfidat kryesore me te cilat Inspektorati ballafaqohet janë numri i pakët i inspektoreve të punës, momentalisht ne kemi 37 inspektorë të punës, 30 prej tyre janë burra, ndërsa 7 janë femra. Me këtë numër të inspektoreve që kemi është e pamundur r që në nivelet e kënaqshme të bëjmë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve. Andaj ne kemi marr veprime për rritjen e këtij numri dhe jemi në procedurë të rekrutimeve të reja. Për këtë vit është rritja e numrit të inspektorëve të punës, rritja e kapaciteteve në Inspektoratin e Punës sidomos me automjete zyrtare”, thotë ai.