14 vjet shtet, 4 vjet abort politik!
Shkruan: Florim Zeqa 08.02.2022
Republika e Kosovës ditëlindjen e 14-të është duke e pritur me qeverisjen më kredibilitetin më të lartë qytetarë si asnjëherë më parë, por edhe me 1001 probleme të brendshme dhe të jashtme; me krizë sociale, fusnotë dhe me dialog të hapur me Serbinë i cili e ka dëmtuar të ardhmen e shtetit në arenën ndërkombëtare.
14 vjet shtet, 14 vjet izolim i qytetarëve kosovarë
Sikurse në të kaluarën, edhe tani liderët e shtetit me fusnotë në bisedimet e Brukselit dhe në mbledhjete e KS të OKB-së nuk prezantohen si përfaqësues të shtetit të pavarur, por si përfaqësues të subjektivitetit 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa të njëjtit liderë para opinionit të brendshëm kosovar me entuziazëm paraqiten si liderë të shtetit të pavarur!
Si rezultat i personalitetit të dyfishtë të liderëve shtetërorë, që 14 vjet Kosova vendnumëron dhe rrotullohet rreth boshtit të pavarësisë së 17 shkurtit 2008, duke i kaluar 14 vjet izolim me njohje ndërkombëtare, pa mirëqenje qytetare dhe pa asnjë perspektivë zhvillimore.
Përderisa Gjykata Speciale mbi kokën e liderëve të korruptuar dhe tej inkriminuar shtetërorë e partiakë, shtetit të Kosovës i kushtoi me humbjen e mbi 8200 hektarëve tokë, me tendencën e humbjes enorme në veri të vendit, krejtësisht shkaku i një lidershipi të shantazhuar, të cilëve sa më shumë që u shtohej presioni nga Gjykata Speciale, aq më tepër e rrisnin gatishmërinë për kompromise (falje të territoreve) të reja ndaj Serbisë.
Albin Kurti mes pranimit të realitetit dhe deçertifikimit të vendimeve politike
Për dallim nga Vjosa Osmani, Albin Kurti tashmë ka filluar të përballet me realitetin e krijuar pas 17 shkurtit 2008, respektivisht të ballafaqimit me përgjegjësitë politike që ka marrë Kosova nga marrëveshjet e nënshkruara ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave serbe në Veri të vendit dhe me pasojat e Demarkacionit me Malin e Zi.
Kështu pra, Albin Kurtit i kanë mbetur vetëm dy rrugë; njohja e realitetit të krijuar dhe implementimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ose delegjimitimi i tyre në mënyrë të njëanshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës!
Ikja nga realiteti i krijuar, për të mos thënë i pamundur, do të ishte me pasoja të rënda për shtetin e Kosovës. Gjendja para një situate të tillë, apo thënë ndryshe, të jesh ose të mos jesh, jam i bindur se Albin Kurti me dëshirë do ta zgjidhte këtë të fundit, por edhe këtë e ka të pamundur shkaku i pamundësisë së arritjes së kuorumit të nevojshëm në Kuvend për deçertifikimin e vendimeve të legjislaturave paraprake për Demarkacionin me Malin e Zi, për Asociacionin dhe Gjykatën Speciale, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në Bruksel për normalizimin e marrëdhënjeve shqiptaro-serbe me koston e Asociasionit për shqiptarër e shumëçka tjetër.
Klasa politike e ardhur në pushtet pas 14 shkurtit 2021 apo politikanët me personalitete të dyfishta kanë filluar ta humbimn besimin tek qytetarët, por edhe tek bashkësia ndërkombëtare.
Lidershipi aktual i shtetit, respektivisht presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti edhe pse paraqiten të bashkuar para opinionit të brendshëm kosovarë, me dualizmin e qëndrimeve të tyre të ndara para bashkësisë ndërkombëtare i kanë vënë në lajthitje SHBA-të dhe miqtë tjerë evropian, çliruesit faktik të vendit tonë dhe sponsorizuesit e pavarësisë së Republikës së Kosovës!
4 vjet “Vdekja klinike” e politikës së jashtme
Mosarritja e asnjë njohje të vetme nga ‘Qeveria Kurti’, përjashto njohjen nga Izraeli në Washington më 4 shtator 2020, mosarritja e asnjë njohje nga tri qeveritë paraprake përgjatë katër viteve të fundit flet shumë për katandisjen e politikës së jashtme të Kosovës.
Siq dihet, njohja e fundit e Kosovës para se të ndodhë njohja nga Izraeli, ndodhi pikërisht në shkurt të vitit 2018 nga shteti i Barbados. Kështu pra, në këtë përvjetor të 14-të të shtetit të Kosovës duhet ta kujtojmë edhe “vdekjen klinike” të politikës së jashtme.
Nga ajo kohë e deri më sot asnjë njohje si produkt i politikës së jashtme, gjegjësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme, madje asnjë sinjal pozitiv për njohje të reja!
Kjo situatë e “vdekjes klinike” të politikës së jashtme është produkt i ndërrimit të shpeshtë të qeverive, e cila ka ndikuar negativisht me ndërrimin e shpeshtë edhe të stafit diplomatik në vendet kyqe dhe me ndikim sa i përket nxitjes dhe motivimit të vendeve të tjera për njohje të Republikës së Kosovës!
Nga katër vitet e “vdekjes klinike” apo të abortit politik, një ishte moratorium për mosaplikim të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, e cila deri diku e bën të justifikueshëm dështimin e politikës kosovare. Ndërsa tre vitet tjera mund të konsiderohen si dështim total i politikës së jashtme të Kosovës në arenën ndërkombëtare, pa asnjë sukses evident në politikën e jashtme.
Ministria e Punëve të Jashtme cila më shumë ngjet një “byroje politike” sesa një diplomacie të mirëfillt të një shteti të!
Emërimi i anonimëve politik në krye të përfaqësive tona diplomatike, ka bërë që Ambasadat e Kosovës të jenë jofunksionale dhe të papërfillshme nga vendet respektive ku përfaqësohemi si shtet i pavarur dhe sovran!
Kjo ka ndikuar në trajtimin jo dinjitoz të mërgimtarëve kosovarë nga disa shtete evropiane, anipse me pasaportë dhe shtetësi kosovare, mërgimtarëve tonë në lejet e qëndrimit u vihet kodi fiskal “118” i ish Jugosllavisë në vend të kodit “160” të Kosovës. Për fat të keq një dukuri e tillë është duke ndodhur në vazhdimësi prej disa vitesh dhe asnjë reagim nga shteti i Kosovës, anipse për këtë problem dy herë me letra publike ju kam drejtuar ministrave paraprak të Diasporës dhe kësaj aktuales në cilësinë e ministres së punëve të jashtme, por gjithnjë kam mbetur pa përgjigje. Unë nuk kam mbetur keq pse nuk kam marrë përgjigje prej tyre, por ndjehem keq si shtetas i Kosovës kur i shohë dokumentat e bashkombasve të mi më kodin fiskal të ish Jugosllavisë së vdekur prej afro tri dekadash.
Kosova edhe pse 14 vjet shtet i pavarur dhe 23 vjet në liri, ende ka mbetur oazë e krimit të organizuar, në duart e nëntokës dhe mafio-oligarkëve, pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim të mirëfilltë dhe me gjysmë analfabetë, pa shëndetësi e me shumë të sëmurë, pa e kontrolluar tërë territorin e vet, pa e njohur si shtet të gjithë qytetarët e saj, pa ushtri të profilizuar (FSK e jo FARK), pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në Evropë e pa shumëçka tjetër bazike për jetë normale të qytetarëve dhe udhëtime pa brenga të mërgimtarëve.Kosova mbase është i vetmi vend në rajon dhe më gjerë ku nëntoka kriminale ende është mbi ligjin dhe vendos për gjithçka natën e ditën dhe ku për shkak të mossundimit të ligjit pandëshkueshmëria e kriminelëve është bërë normë, ndërkaq pabarazia qytetare është bërë rregull e pashkruar në (pa)drejtësinë kosovare.