1 mijë e 500 euro ????ë ndaj ish-rektorit Vataj, ???????? se një kandidati ia mohoi të drejtën në punësim

 1 mijë e 500 euro ????ë ndaj ish-rektorit Vataj, ???????? se një kandidati ia mohoi të drejtën në punësim

Prizren- Gjykata Themelore në Prizren, të enjten, në rigjykim ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish- rektorit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ramë Vataj duke e dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë pasi akuzohet se Vehbi Miftarit ia kishte mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim. 

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi i rastit, Fatmir Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me aktgjykimin e shpallur më 10 dhjetor 2021, Gjykata Themelore në Prizren e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Vataj, duke e dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë.

Ndërsa, Gjykata e Apelit me aktgjykimin e 23 gushtit 2022, e ka kthyer çështjen në rivendosje me arsyetimin se shkalla e parë nuk e kishte vlerësuar mirë të drejtën materiale.

Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Paraprakisht në këtë seancë, i akuzuari Vataj dhe mbrojtësi i tij, avokat Labinot Vata kanë deklaruar se qëndrojnë në tërësi pranë pyetjeve dhe deklarimeve që kishin dhënë më 5 nëntor 2021 me rastin e dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari Vataj.

Po ashtu, prokurori Shpend Binaj ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë pyetjeve të parashtruara si në procesverbalin e 26 nëntorit 2021, duke shtuar se nuk ka pyetje për të akuzuarin në shqyrtimin e sotëm.

Pas kësaj, është dhënë fjala përfundimtare nga prokurori Shpend Binaj me ç’rast ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë më 10 dhjetor 2021.

I njëjti ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe me rastin e marrjes së aktgjykimit të merren parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Kurse, avokati Vata ka thënë se fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, i njëjti ka kërkuar që aktakuza e prokurorisë të hedhet si e pabazuar dhe i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 10 maj 2020, ngarkon Ramë Vatajn se nga 30 shtatori 2017, e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e zbatonte vendimin e Sektorit të Inspekcionit të Arsimit në Prizren të 14 shtatorit 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e 1 gushtit 2016, me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri.

Me këtë rast, thuhet se të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs.

Andaj, me këtë i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”, nga neni 219, par.1 dhe 2 të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënimi me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014, deri në vitin 2018. /BetimipërDrejtësi Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjajshme