“𝗡ë𝘀𝗲 𝗻𝘂𝗸 𝗲 𝗸𝗮𝗺 𝗯𝘂𝗿𝗿𝗶𝗻 𝗴𝗷𝗮𝗹𝗹ë, 𝗽ë𝗿 𝗺𝘂𝗮 𝗷𝗲𝘁𝗮 𝘀’𝗸𝗮 𝗸𝘂𝗽𝘁𝗶𝗺”
Pas 108 orëve të tërmetit në qytetin turk, Hatay, një grua 62-vjeçare është shpëtuar nga rrënojat e një ndërtese të shembur.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar punën edhe gjatë ditës së sotme në rrethin Cebrail, të distriktit të Antakyas.
Si rezultat i përpjekjeve të shumta, ku mbështetje ofruan ekipet e shpëtimit nga Koreja Jugore, Selma Guneş u nxor e gjallë nga gërmadhat.
“A është burri im gjallë? Nëse nuk është, jeta për mua s’ka kuptim”, dëgjohet duke thënë e moshuara.
Ajo më pas u dërgua në një spital me autoambulancë dhe mësohet se është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndryshe, Turqia dhe Siria pas dy tërmeteve të fuqishme kanë regjistruar së bashku rreth 24 mijë viktima, transmeton telegrafi.