𝗚𝗮𝗴𝗶𝗰𝗮 𝗶 𝗔𝗔𝗞-𝘀ë 𝘃𝗶𝘇𝗶𝘁ë 𝗻ë 𝗣𝗿𝗲𝘀𝗵𝗲𝘃ë: Është obligim i yni shtetëror e kombëtar të përkujdesemi për këto treva
Kryetari i AAK-së në Gjilan, Nazim Gagica me bashkëpunëtorë ka vizituar sot Komunën e Preshevës ku është pritur nga i pari i kësaj Komune, Shqiprim Arifi.
Gagica e ka uruar Arifin për fitoren në Këshillin Nacional të Shqiptarëve dhe ka bërë thirrje partive politike për unitet në Luginë.
“Sot me bashkëpunëtorë të mi në AAK në Gjilan, vizituam Komunën e Preshevës ku u mirëpritëm nga i pari kësaj komune, Shqiprim Arifi. Me këtë rast e uruam z.Arifin për fitoren në Këshillin Nacional të Shqiptarëve, ndërsa ftojmë të gjitha partitë shqiptare në Luginë të jenë bashkë krah interesave të qytetarëve”, ka shkruar Gagica në Facebook.
Ai ka thënë se kanë diskutuar gjerë e gjatë për të gjitha temat me interes për shqiptarët në Luginë dhe të shpërngulurit nga këto treva.
“Takimet me liderë nga Lugina nuk janë thjeshtë vetëm politike por edhe vëllazërore, sepse na lidhin përveç kombësia, edhe lidhjet familjare dhe pozita gjeografike”.
“Diskutuam gjerë e gjatë për të gjitha temat me interes për shqiptarët në Luginë dhe të shpërngulurit nga këto treva që sot janë të vendosur në Gjilan e qytete tjera të Kosovës. Është e domosdoshme që marrëdhëniet ndërmjet Luginës dhe Kosovës të thellohen sepse është obligim i institucioneve tona të kujdesen edhe për gjendjen e shqiptarëve në këto treva”, është shprehur Gagica.
Ai ka falenderuar ata që permanent janë përkujdesur për shqiptarët e Luginës. “Me këtë rast, falenderojë të gjithë ata që permanent janë përkujdesur për Luginën dhe shqiptarët atje. Lëvizja Vatra ishte dhe vazhdon të jetë një zë i arsyeshëm për interesat e shqiptarëve në këtë pjesë të ndishme të kombit tonë”, ka përfunduar Gagica.