𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻 𝗛𝘆𝘀𝗲𝗻𝗶 𝗲 𝗮𝗸𝘂𝘇𝗼𝗻 𝗟𝘂𝘁𝗳𝗶 𝗛𝗮𝘇𝗶𝗿𝗶𝗻 𝗽ë𝗿 𝗸𝗼𝗿𝗿𝘂𝗽𝘀𝗶𝗼𝗻

 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻 𝗛𝘆𝘀𝗲𝗻𝗶 𝗲 𝗮𝗸𝘂𝘇𝗼𝗻 𝗟𝘂𝘁𝗳𝗶 𝗛𝗮𝘇𝗶𝗿𝗶𝗻 𝗽ë𝗿 𝗸𝗼𝗿𝗿𝘂𝗽𝘀𝗶𝗼𝗻

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka akuzuar ish-kryetarin e kësaj komune Lutfi Haziri për keqpërdorim dhe keqmenaxhim të pasurisë publike.

Hyseni të martën ka mbajtur konferencë për media duke paraqitur “tri raste të keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit” gjatë kohës së Hazirit.

Ai ka përmendur rastin e QKMF-së në Gjilan, ku ka thënë se ka dallim mes faturave të paraqitura dhe inventarit në QKMF. Ndërsa ka përmendur edhe dy raste tjera të shpronësimeve.

“Rasti i parë ka të bëjë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së është edhe nisma e keqpërdorimeve brenda këtij institucioni. Përveç fazës së ndërtimit, lidhjes së kontratave edhe kundërligjshëm edhe me përmbajtje që dëmtojnë buxhetin e komunës edhe ashtu të varfër, keqpërdorime janë bërë edhe në fazën e blerjes së inventarit dhe furnizimit të objektit të ri. Sipas një Raporti të Auditimit të Brendshëm, ku është bërë regjistrimi i inventarit, kemi një diferencë mes faturave të paraqitura dhe gjendjes faktike. Më pas, për të verifikuar një konstatim të tillë, kam formuar një komision të tretë, i cili ka bërë regjistrimin dhe evidentimin e inventarit, për të nxjerrë një rezultat të tretë, të pavarur dhe përfundimtar, me qëllim që të krijohet një pasqyrë e qartë. Kjo për shkak se, Raporti i Auditimit të Brendshëm dhe ai i komisionit për regjistrimin e inventarit nga QKMF nuk janë përputhur. Ndërkohë që, Raporti i Auditimit të Brendshëm dhe i komisionit të tretë të formuar nga unë si Kryetar i Komunës, janë pothuajse 100% në përputhje, ashtu që është konstatuar një diferencë e madhe në mes të inventarit të faturuar dhe gjendjes faktike në QKMF sipas verifikimit të inventarit të komisionit të tretë. Po ashtu, ka edhe fatura fiktive në vlerë prej dhjetëra mijëra eurove, pagesën e të cilave e kemi ndaluar. E njëjta, figuron ende si obligim nga institucioni shëndetësor QKMF dhe duhet verifikim i saj”, tha Hyseni.

Për rastin e dytë, ka thënë se ka të bëjë me një shkelje e keqpërdorim me vlera milionëshe.

“Kemi të bëjmë me shpronësimin e tokave nga komuna e Gjilanit dhe organi shpronësues, që në këtë rast është Kryetari i Komunës. Nga 26 milionë euro që është vlera totale e borxheve të trashëguara, vetëm në shpronësim, i kemi gjithsej 11 milionë euro. Ndërkohë që kjo vlerë, çdo ditë është në rritje sepse kemi raste që po paraqiten tek ne edhe tani. Në rastin e parë të shpronësimit, kemi të bëjmë me shpronësimin e gjithsej 27 ari e 66 metrash. Sipas vlerësimit në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, vlera e tokës në po këtë zonë është 120 euro për metër katrorë. Ndërkohë që, shpronësimi i këtyre tokave, nga komuna e Gjilanit është realizuar në vlerën prej 330 dhe 325 euro (bëhet fjalë për dy parcela të ndara që janë në kufinjë kadastral me njëra tjetrën). Kontratat e shitblerjes së tokave, në po këtë zonë, me të njëjtin koeficient të ndërtimit, në po të njëjtat vite, janë nga 120 deri në 190 euro për metër katror. Vlera totale e shpronësimit, për 27 ari e 66 metër, komunës se Gjilanit i kanë kushtuar plot 902,910 euro”, tha Hyseni. “Kjo është një nga shumë lëndët e shpronësimit, por që për fat të mirë, ende nuk ka kaluar afati ligjor për pagesë, ndërsa jemi në fazën finale, kur lënda mund të dërgohet dhe të ekzekutohet edhe përmes përmbaruesit privat”.

Për rastin e dytë të shpronësimit ka thënë se bëhet fjalë për një shpronësim prej 30 ari e 57 metra. “Sipas vlerësimit në ueb faqen zyrtare te Ministrisë së Financave, vlera e tokës në po këtë zonë është 200 euro për metër katror. Ndërkohë që, shpronësimi i këtyre tokave, nga komuna e Gjilanit është realizuar në vlerën prej 520 euro për metër katror. Vlera totale e shpronësimit, për 30 ari e 57 metër, komunës së Gjilanit i kanë kushtuar plot 1,589,640 euro. Këtë shumë, ne si komunë dhe qeverisje e re, jemi detyruar qe ta paguajmë si rezultat i ndjekjes së procedurave ligjore nga përmbaruesi privat. Vlera që jemi detyruar ta paguajmë për shpenzimet përmbarimore është 22,709.90 euro”, tha Hyseni.

Të ngjajshme